SHBA- Është krijuar autobusi-shtëpi në SHBA. Një student i arkitekturës, nga Minnesota në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i quajtur Hank Butitta, në vend të ndërtimit të një shtëpie, ka shndërruar një autobus shkolle në një shtëpi lëvizëse.
 
Studenti ka blerë një autobus të vjetër për 3 mijë dollarë, ka shpenzuar edhe 6 mijë dollarë të tjerë për ta transformuar dhe i janë dashur 15 javë punë, duke u bazuar tek tema e diplomës së tij.
 
Ai ka arritur të vendosë çdo detaj, që nga dritaret e errëta, nga ndriçimi, materiali i mureve dhe ngrohja. Hank e ka ndarë autobusin në 4 pjesë, në kuzhinë, tualet, sallon dhe dhomë gjumi dhe hyrja është në pjesën e pasme të tij.
 
Hapësira për t’u ulur është e ndarë në të dy anët dhe sediljet mund të modifikohen duke krijuar një korridor, krevate të tjerë për fjetje, apo tavolinë ngrënie. Nuk mungon as dritarja në tavan, për të parë panoramën gjatë udhëtimeve dhe për të shijuar ajrin e freskët.
 
Në gushtin e vitit të kaluar, Hank së bashku me miqtë e tij u nisën nga Minnesota dhe bënë një xhiro rreth Amerikës, me shtëpinë lëvizëse të krijuar nga vetë ai.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)