Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori titullin “Doctor Honoris Causa” nga “Grand Valley State University” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe ka kryer studimet e larta.

Në ditën e dytë të vizitës në Miçigan, Veliaj ka qenë i ftuari i nderit në ceremoninë e diplomimit të 3 mijë studentëve të “Grand Valley State University”, ku edhe mori titullin për kontributin e tij në shërbimet publike.

Titulli iu dorëzua nga Presidenti i “Grand Valley State University”, Thomas J. Haas, i cili e vlerësoi Veliajn si një histori suksesi të studentëve që kanë mbaruar studimet në “Grand Valley State University” dhe vuri në dukje kontributin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
 
“Ju tashmë keni përmirësuar infrastrukturën e qytetit, keni ulur ndotjen e ajrit, keni përdorur teknologjinë për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët tuaj. Stili juaj energjik i lidershipit ka marrë një mbështeje të madhe nga qytetarët. ‘Grand Valley State University’ mbushet me krenari nga suksesi juaj. Me autoritetin që më është dhënë nga bordi i drejtuesve, ju jap titullin ‘Doctor Honoris Causa në Shërbimet Publike’, me të gjitha të drejtat dhe privilegjet që gëzon. Urime!”, u shpreh Presidenti Thomas J. Haas.
 
Kryebashkiaku Veliaj ishte një nga tre të përzgjedhurit për të përshëndetur të diplomuarit e rinj të këtij universiteti në ditën e tyre më të rëndësishme.

Veliaj falenderoi “Grand Valley State University” për mundësinë që i dha për të studiuar, por edhe për të vlerësimin me titullin “Doctor Honoris Causa” dhe rrëfeu rrugën e gjatë dhe të vështirë që i është dashur të kalojë për të mbërritur në auditorët e këtij universiteti.

Ai tregoi se vendimi më i vështirë dhe më i rëndësishëm i jetës së tij ka qenë momenti kur vendosi të linte Amerikën për t’u kthyer sërish në Shqipëri, për të kontribuar për vendin e tij.
 
“Shumë studentë vendosën të qëndrojnë në SHBA dhe pyetja ime ishte: Duhet të bëhem një motor në një makinë të vogël të fuqishme apo duhet të bëhem kaçavida në një makineri gjigante si Shtetet e Bashkuara. Ndaj mora vendimin që të kthehesha dhe nuk ishte një vendim i lehtë, por ishte vendimi më i mirë që kam bërë ndonjëherë”, tha Veliaj.

[gallery]22040[/gallery]
Më tej, ai iu drejtua studentëve të pranishëm se pavarësisht mundësive apo rezultateve që mund të arrijnë në shkollë, për çdo të ri është e rëndësishme të qenit pozitiv.

Ekziston një sëmundje për të cilën nuk ka kurë: cinizmi, ata që thonë “jo”, që thonë se “nuk mund të bëhet”. Ka shumë ekspertë që specializohen për të të shpjeguar pse gjërat nuk mund të bëhen, pse ti nuk je i mirë mjaftueshëm, pse nuk mund ta ndryshosh botën, pse është kaq e vështirë për të arritur progres. Unë mendoj se kjo është absolutisht e gabuar. Nëse ti jeton në këtë vend, ky është vendi që dërgoi njeriun në hënë, ky është vendi që zgjodhi një afro-amerikan për President, atëherë kur askush nuk e mendonte që kjo ishte e mundur. Ndaj, këshilla ime është: nuk ka rëndësi se çfarë thonë njerëzit, mos u bëni me cinikët, mos u bëni idhnakë, bëhuni entuziastë”, theksoi Veliaj, në fjalën e tij para 3 mijë të diplomuarve të “Grand Valley State University”.
 
Duke treguar edhe eksperiencën e tij të aktivizimit në shoqërinë civile, por edhe politikë, Veliaj theksoi se e rëndësishme për njeriun është investimi për të patur afër njerëz të zotë dhe të suksesshëm.

“Nëse unë do të isha sot këshilltari juaj do të kisha një rekomandim: Mos investoni në para, por në njerëz. Sepse investimi në njerëz është një investim jetëgjatë. Duke ngritur lart njerëzit që janë rreth e rrotull teje, duke u siguruar që ata bëjnë më të mirën që munden, atëherë ti je bërë më i miri i vetes”, shtoi Veliaj.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com