TIRANË- 60 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit është vendimi që mori Sekretariati i Etikës për kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj i cili ditën e djeshme vodhi marrëveshjen sekrete Shqipëri-SHBA për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe iku me vrap nga salla e Kuvendit, ndonëse një punonjëse e ndoqi nga pas.

Kërkesa për përjashtimin e Shehajt u bë nga Partia Socialiste me argumentin se ndonëse deputetët ishin njoftuar se marrëveshja përmbante informacione konfidenciale, Shehaj e nxori jashtë sallës ku duhej ta lexonte materialin e klasifikuar, ndonëse kjo përbën shkelje të legjislacionit për informacionin e klasifikuar. Po ashtu, grupi parlamentar socialist e kërkoi përjashtimin për veprime të rënda dhe të përsëritura, që këtë herë rrezikuan edhe sigurinë e punonjëses së parlamentit. Kjo e fundit, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime ndërsa po vraponte për të ndjekur Shehajn, i cili as nuk ndaloi ta ndihmonte. 

Duke qenë se ky sesion parlamentar ka përfunduar, masa e ndëshkimit për Agron Shehajn do të futet në fuqi nga muaji shtator, në nisje të legjislaturës së re.

“Ishte shumë i qartë deklarimi i kryetarit të kuvendit, që dokumenti është konfidencial dhe deputetët ftohen ta lexojnë. Çka do të thotë se secili prej deputetëve, kundrejt nënshkrimit të deklarimit, e merr e lexon në atë sallë dhe ia dorëzon dokumentin punonjës së ngarkuar me këtë detyrë. Në rastin konkret zonja ishte edhe këshilltare e komisionit të sigurisë. Shehaj e patë të gjithë, mori dokumentin, e nxori jashtë sallës. Ama deklarimi publik i kryetarit të kuvendit ishte se kjo marrëveshje do lexohej në sallë. Të gjithë ato pamje të rënda, nuk më mbetet gjë tjetër veçse ti uroj punonjëses shërim sa më të shpejtë. Uroj të jetë rasti i parë dhe i fundit ku shkelet kjo vijë respekti, por çdo nëpunës publik i këtij shteti duhet të ndajë një detyrë ligjore që ia ka ngarkuar ligji”, sqaroi Ulsi Manja.

Në mbledhjen e Sekretariatit të Etikës nuk u mor një vendim për kërkesën tjetër të socialistëve, për referim në SPAK të çështjes së Shehajt. Ligjvënësi socialist Ulsi Manja shpjegoi se elementët e veprës penale nuk janë kompetencë e këtij komisioni dhe se do të jetë vetë Partia Socialiste që do ta depozitojë në SPAK kallëzimin për kreun e Partisë Mundësia.

“Elementët e veprës penale nuk janë kompetencë e këtij sekretariati. Do ketë një referim të kallëzimit ndaj Shehajt në SPAK dhe të gjithë elementët që kanë të bëjnë me shkelje të konfidencialitetit, nxjerrjen e dokumentit jashtë asaj salle por edhe me veprimet që pasuan nxjerrjen e këtij dokumenti, i takon organeve hetimore”, tha Manja.

Socialistët thonë se sjellja e deputetit duke marrë më forcë dhe duke nxjerrë jashtë sallës dokumentin e klasifikuar sekret përbën shkelje të rëndë të legjislacionit dhe për këtë duhet të paditet në SPAK.

Prokuroria e Posaçme duhet të hetojë sipas tyre Shehajn për 5 vepra penale, si përvetësim i paligjshëm i informacionit të klasifikuar, vjedhje, grabitje, pengim i detyrës së funksionarit dhe cenim i sigurisë kombëtare.