Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu i është përgjigjur akuzave të bëra nga kryeministri Edi Rama, teksa ishte në takim elektoral. Ai shprehet se nuk ka harruar që të bëjë investime në qytet, por nuk është mbështetur nga kreu i qeverisë. Ai ka komentuar batutat që kreu i qeverisë ka bërë për kuksianët dhe "lidhjen" e tyre me Londrën.

"Na e beri qejfin Kryeministri me kapele te kuqe: erdhi në Kukës, foli kundër kuksianëve dhe iku me shpresë të na lëre një nga ata që di veç ai të zgjedhë si kandidat. Sepse kujton se Kuksianët do luajnë futboll tërë jetën e nuk do mendojnë për punë e jetë më të mirë. Pse nuk shkoi në Angli se atje punojnë mijëra kuksianë, që të mësojë pse kanë ikur nga Kukësi djemtë e burrat!

Sindroma e përgjimeve të revistës gjermane BILD, ku dalin horrat dhe horrllëqet e qeverise, e nxiti të flasë, ashtu si atij i pëlqen, për kryetarin e bashkin Kukës. Megjithatë, i ka vlejtur kjo e ardhur në Kukës. Sepse e kuptoi që erdhi në vendin e gabuar. Sepse e ka harruar me investime. E urren Kukësin pse fiton PD. Kuksianët janë legjendë. Pikërisht se nuk e votojnë Edi Ramën. Si kryetar Bashkie në Kukës i kujtoj Kryeministrit se po të vijë me shpesh, do përfundojë në demokrat e në vend të flasë për kandidatin e tij, do flasë për Bashkim Shehun", shkruan Shehu.

Gjatë takimit elektoral në Kukës, Rama e akuzoi se nuk kishte dhënë leje për të ndërtuar një spital. "Bashkimi do hyjë në histori, që ka penguar lejen për të ndërtuar spitalin. Dhe më idioti thotë aman një investim për spitalin, ai thotë "nuk ka leje mjedisore". Bashkimi iku, kur i thua tjetrit shumë "ik" "ik" dhe ikën vetë", tha Rama.