'Shembja e LSI', nga 29 këshilltarë që braktisën LSI, 8 kryesuan listën

'Shembja e LSI', nga 29 këshilltarë që braktisën LSI, 8 kryesuan listën

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi

Dezertimet masive në radhët e këshilltarëve, gjatë katër muajve të fundit, janë një goditje e dyfishtë për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Përpos humbjes së shumicës në këshillat e bashkive më të mëdha në vend, ikja e këshilltarëve pritet të dobësojë LSI në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Nga 29 këshilltarë që kanë braktisur deri më sot LSI, për t’i bashkuar PS, tetë prej tyre kanë kryesuar listën e këshilltarëve të LSI në bashkitë përkatëse. Jo rastësisht, LSI u kishte besuar këtyre pesë këshilltarëve detyrën dhe përgjegjësinë kryesore në zgjedhjet lokale të 2015, duke i vendosur në krye të listave. Renditja e kandidatëve në zgjedhjet për këshillat bashkiake bëhet nga partitë politike sipas peshës dhe rëndësisë së kandidatëve.

Largimet e rëndësishme
Agim Kraja, pjesë e grupit të këshilltarëve që kaluan me Partinë Socialiste, rezulton në krye të listës fituese të këshilltarëve të LSI në Bashkinë e Tiranës. Po ashtu, anëtarja e këshillit bashkiak në Durrës, Adriana Hatellari, e cila bashkoi votat me PS, rezulton në krye të listës së këshilltarëve të LSI. Kryesuesja e listës së këshilltarëve të LSI në Fier, Drita Sauli, ka braktisur patinë e drejtuar nga Monika Kryemadhi, duke iu bashkuar PS. Artimida Luci, e cila ka kryesuar listë e këshilltarëve të LSI në Vlorë, i është bashkuar PS.

Besmira Xhaferri, e cila figuron në krye të listës së këshilltarëve të LSI në këshillin bashkiak të Belshit i është bashkuar gjithashtu Partisë Socialiste. I njëjti fenomen ka ndodhur edhe në Shkodër dhe Gjirokastër. Adrian Hyska, kryesues i listës së këshilltarëve të LSI në Gjirokastër vendosi t’i bashkohet PS. Po ashtu, Elton Radovani, në krye të listës së këshilltarëve të LSI Shkodër, iu bashkua disa ditë më parë Partisë Socialiste. Edhe Albert Lilo, i cili ka kryesuar listën e këshilltarëve të LSI në Devoll, ka vendosur t’i bashkohet Partisë Socialiste.

Dezertimet, arsyet dhe pretendimet e palëve
Që nga fundi i vitit 2017, në mënyrë të organizuar dhe masive, grupe këshilltarësh të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në bashki të ndryshme të vendit, po i bashkohen në bllok Partisë Socialiste. Lëvizjet e para përkojnë me afrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike, por kalimi i këshilltarëve nga LSI tek PS është intensifikuar ditët e fundit, pa ndonjë shkak të dukshëm, duke trazuar arenën politike. Pothuajse çdo ditë, një grup i ri këshilltarësh të LSI, lexon një letër publikisht dhe deklaron kalimin tek PS.

Motivet e shpallura nga këshilltarët për të justifikuar largimin vijojnë që nga lidhjet e PD me rusët, çizmja e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, pozicionin e LSI kundër reformës në drejtësi etj. Përfaqësues të Partisë Socialiste konfirmojnë argumentet e shprehura nga vetë këshilltarët si arsye reale për largimin e tyre nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe bashkimin e PS. Ndërkaq, përfaqësues të LSI pretendojnë se largimet janë një skenar i përgatitur nga Partia, Socialiste për zhvendosjen e vëmendjes nga keqqeverisja, pasi sipas LSI largimet kanë ndodhur më parë dhe se nuk qëndron argumenti i lobimit rus.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit