Gërmimet në shtratin e lumit Shkumbin dhe mënyra si janë projektuar e zbatuar punimet në aksin Librazhd-Prrenjas janë shkaku real i situatës së krijuar, jo reshjet e shiut. Ky ishte konkluzioni i ekspertëve të ftuar të martën në emisionin “Studio Live” në Report TV, ku u analizua çfarë po ndodh në terren pas rrëshqitjeve të tokës dhe ndërprerjeve të qarkullimit që kanë izoluar juglindjen e vendit.

Inxhinieri dhe eksperti mjedisor Qerim Ismeni e quajti problemin defekt njerëzor. Sipas tij, projektimi i një rruge është proces multidisiplinar që kërkon studime të detajuara gjeologjike, hidrogjeologjike dhe sizmike. Kur këto nuk bëhen si duhet, ose kur përgjegjësia shpërndahet pa koordinim, pasojat dalin më vonë. Ai tha se sot studimi, projekti i fizibilitetit, mbikëqyrja dhe ndërtimi janë në duar private dhe mungon një hallkë shtetërore që mban përgjegjësi për projektin në tërësi. Sipas tij, kjo sjell situata ku secili kryen pjesën e vet, por askush nuk përgjigjet për rezultatin final.

“Ne për fat të keq, për zhvillimin e demokracisë, institutet shtetërore i kemi mbyllur. Punonjësit kanë ikur jashtë shtetit. Shtresat e malit, studimi bëhet nga gjeologjia që ka munguar. Studimi i sizmikës bëhet nga instituti i sizmikës. Ekspertët tanë janë shpërndarë në katër anët e botës si zogjtë e korbit sepse atdheu i shumëzoi intelektualët me zero. Projektimi i rrugëve është disiplinë multi disiplinare. Elementë të tjerë të projektimit i përcaktojnë institucione të specializuara të cilat nuk kanë funksionuar, sepse detyra e projektimit rrezik është bërë në privat. Projekti është bërë në studio private. Studimi, projekti i fizibilitetit, mbikëqyrja e punimeve, ndërtimi, janë të gjitha institucione private, asnjë nuk mban përgjegjësi për projektin e përgjithshëm. Të gjithë marrin paratë e tyre por nuk funksionojnë si grup sepse mungon shteti. Kjo është fatkeqësi shtetërore. Është krim shtetëror. Nuk është defekt natyror. Nuk u prish rruga apo u prish ura prej reshjeve. Absolutisht nuk kanë të bëjnë reshjet. Ka të bëjë babëzia. Është ashiqare, jemi në një qeveri hajdutësh që vjedh në çdo segment,” tha Ismeni.

Ismeni solli si shembull ndërtimin e digës së Fierzës, ku sipas tij studimet janë bërë me kujdes maksimal dhe janë marrë parasysh skenarë ekstremë, përfshirë rrëshqitje masive toke.

“Ja çfarë ndodhi në Fierzë. Mali i Poravës kishte shtresa argjilore dhe mund të rrëshqiste dhe projektuesit ngritën digën e Fierzës nga 295 që ishte kuota në 315 metër. Sikur mali të shembej komplet dhe të binte mbi liqen, niveli i ujit nuk ngrihet mbi 315 metër për të përmbytur. Këto studime janë kryer në një kohë kur s’ka pasur kompjuter. Kompjuterit çfarë t’i japësh të jep. Nëse vë një debil që të punojë në kompjuter, kompjuteri do i thotë që ato themele duhen bërë të cekëta, s’duhet të bëjë studim hidrogjeologjik, s’duhet të studiojë formacionet shkëmbore ku mbështeten themelet dhe rezultati: rrëshqet ura. Firma ndërtuese kursen edhe markën e betonit që në themelet e urës në fjalë po shkërmoqet. Pra ka një mori faktorësh. Projektimi i një rruge nuk mund të bazohet te një privat. Prandaj institucionet publike veprojnë në të gjithë botën ndërkohë që ne jemi tek privati dhe tani po e shijojmë atë me borxhe pa fund,” tha Ismeni.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Aldi Shehu nga Qendra “Norma”. Ai tha se qëllimi i reagimit të organizatave është mbrojtja e lumit Shkumbin, pasi në terren janë konstatuar gërmime pa kriter në shtrat dhe brigje, si dhe përdorim i zallit të lumit për ndërtimin e rrugës.

“Qëllimi ynë është mbrojtja e lumit Shkumbin. Kemi vënë re një prishje të formulës së kompozimit të lumit Shkumbin për shkak të gërmimeve pa kriter që janë bërë në zonë. Kjo është qëllimi kryesor i letrës. Gërmimet pa kriter e të pakontrolluara në Shkumbin, zalli i lumit që është përdorur për ndërtimin e rrugëve dhe leja drejtuar kompanisë Sallillari që është autorizuar të bëjë gërmime në këtë lumë për qëllim zgjerimin e rrugës. Ja që inxhinieria vonon por nuk harron. Ti mund ta teprosh… leja ka qenë korrekte në shifrat e lejuara. Ne kemi kërkuar që të rishikohet leja, që të inspektohet çfarë është bërë në lidhje me këtë leje, dhe të mbrohet statusi i të gjithë rrjedhës së lumit,” tha Shehu.

Edhe Gëzim Shuli nga “Alb Natyra” deklaroi se janë dokumentuar ndërhyrje dhe nxjerrje inertesh nga shtrati i lumit.

“Kemi parë që po bëhen ndërhyrje në lumë. Pavarësisht lejes së dhënë, kërkojmë një monitorim të qartë nëse leja po zbatohet siç duhet. Ne kemi dokumentuar që në shtratin e lumit ka pasur ndërhyrje dhe gërmime për të nxjerrë inerte. Kjo ndikon në diversitetin, në shtratin e tij, në brigjet e tij por edhe shkakton rrëshqitje toke. Ndikon në cilësinë e ujit, biodiversitetin dhe është një katastrofë mjedisore,” tha Shuli.

Diskutimi vjen në një moment kur 25 organizata mjedisore kanë kërkuar masa urgjente për të parandaluar ndërhyrjet e dëmshme në Shkumbin, në kuadër të punimeve për rrugën Elbasan–Librazhd–Bushtricë, pjesë e Korridorit VIII. Në këtë segment prej dy vitesh po ndërtohen dy tunele me gjatësi rreth 1.1 kilometra.

Ekspertët theksuan në Report TV se pa monitorim të fortë, transparencë dhe përgjegjësi të qarta institucionale, problemet do të vijojnë. Sipas tyre, çështja e Shkumbinit është një sinjal i fortë për mënyrën si po menaxhohen projektet infrastrukturore dhe ndërhyrjet në mjedis.