Kryeministri në detyrë në Kosovë, Albin Kurti ka reaguar ashpër në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë duke akuzuar kryeministrin Rama se e shembi për shkak të interesave të përkohshme dhe shijeve personale duke mohuar kulturën dhe historinë që ajo mbante në vetvete.

Kurti përshëndeti rezistencën e artistëve dhe qytetarëve që mbrojtën teatrin deri në këto momente, ndërsa theksoi se arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet.

"Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb 1 200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional. Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli. Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave. I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë", shkruan Kurti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:57
Shembja e TK në Tiranë/ Artistët kosovar anulojnë shfaqjet në shenje solidariteti: Ai Teatër ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht

KOSOVË- Në shenjë solidariteti me shembjen e Teatrit Kombëtar në Shqipëri, Teatri Kombëtar i Kosovës, por edhe teatrot e tjera në disa qytete të vendit kanë anuluar shfaqjet e planifikuara online.

"Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht", shkruhet mes të tjerave në reagimin e tyre.

"Në shenjë solidarizimi kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Gjilanit, Teatri “Hadi Shehu” - Gjakovë” , Teatri “Bekim Fehmiu” Prizren, Teatri “Adriana” - Ferizaj”, Teatri “Muharrem Qena” - Mitrovicë, Qendra Multimedia”, “Teatri Oda”, Teatri “Urban”, “Etno Teatri - Kukaj”, anulojmë shfaqjen "Skenderbeu ose dashuri dhe liri", e cila ka qenë e planifikuar në kudër të kalendarit online / livestream. Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht", shkruhet në reagimin zyrtar.

Postimi i plotë i Teatrit Kombëtar i Kosovës

Ora 10:46
Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë në mbështetje të protestuesve: Lironi territorin e zaptuar

1589710132_bojkeni.jpg
Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë kanë qenë të pranishëm në protestën që po ndodh pranë Teatrit Kombëtar, që po prishet nga fadromat e IMT.

Pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë rreshtuar në krah të qytetarëve dhe artistëve që për më shumë se një vit kanë dalë kundër shembjes së godinës së teatrit. Për mbrojtjen e saj u krijua edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit duke bërë një rezistencë të fortë , por që gjithçka u mbyll sot me prishjen e godinës.

Kreu i Vetëvendosjes në Tiranë, Boiken Abazi i kërkon policisë të çlirojë sheshin pasi vendimet nga Bashkia dhe qeveria janë të paligjshme. “Teatri mund dhe do të ringelet. Në këto raste qytetarët ngrihen në rezistencë. Të lirohet territori i zaptuar na vendime anti- ligjore. Kërkojmë nga Policia të çlirojnë sheshin e Teatrit. Teatri i përket artistëve dhe popullit, jo qeverisë dhe diktaturës”- u shpreh Boiken Abazi.