TIRANË - Kryeministri Edi Rama i ka bërë apel qytetarëve shqiptarë që edhe kur dalin nga shtëpia në oraret e lejuara të respektojnë distancën nga njëri-tjetri dhe të kenë durim kur shkojnë në dyqane për pazare apo në farmaci. Kreu i qeverisë ka postuar në Facebook, foto se si bota po i përgjigjet masave kufizuese. Qytetarët qëndrojnë në radhë të gjata në distancën nga njëri-tjetri duke dhënë kështu kontributin e tyre në frenimin sadopak të përhapjes së COVID-19.

Për të garantuar që distanca të ruhet nga njerëzit që dalin të gjithë në këto orare të lejuara, në terren në Shqipëri kanë dalë policia dhe ushtria duke u siguruar që edhe në supermarkete të ruhet distanca.

"Policia dhe ushtria janë angazhuar sot në sigurimin e radhëve e të distancave në hyrje e brenda pikave të shërbimeve ushqimore dhe farmaceutike!  Ju përgjërohem të gjithëve të mbajnë radhën si njerëz të rrezikuar nga bombat e padukshme që sjellin vdekje, vuajtje, zgjatje të pafundme të kësaj lufte. Bashkëngjitur shembuj se si e lufton bota armikun kur shkon për të blerë ushqime e ilaçe, madje edhe para dyqanit të armëve apo në shtëpinë e zotit rrinë në radhë e në distancë!", shkruan Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:15
Italianët japin shembullin e duhur për shqiptarët si të respektojnë distancën në markete

Koronavirusi po kërcënon dhe Shqipërinë dhe vendi ka hyrë në karantinë për të parandaluar sa më shumë përhapjen e tij. Por pavarësisht masave të marra shqiptarët nuk po ndërgjegjësohen me rrezikun dhe kjo bën që në oraret e lejuara nga qeveria njerëzit të dynden në rrugë për shëtitje. Madje dhe në bërjen e pazareve njerëzit vetëm në disa vende respektojnë rregullat, më saktë aty ku ka polica që i detyrojnë, ndërsa në vende të tjera dynden dhe grumbullohen si një ditë të zakonshme. Shembulli më i mirë për respektimin e radhës në markete vjen nga Milano në Itali, e cila po përballet me një situatë të tmerrshme nga koronavirusi, ku numri i viktimave ia ka kaluar edhe Kinës.

Shikoni videon e shtetasve Italinë për të kuptuar edhe shqiptarët se si duhet të respektojnë distancën në këtë kohë dhe të ndërgjegjësohen.   

Ora 12:40
Policia në supermarkete e banka ku ka grumbullime qytetarësh: Ruani distancën

Policia e Shtetit është angazhuar këtë të premte në supermarkete, banka e farmaci ku qytetarët grumbullohen, më qëllim ruajtjen e distancës mes tyre, si masë mbrojtëse dhe parandaluese ndaj COVID-19.

"Ruani distancën nga njëri - tjetri për të mirën e shëndetit të të gjithëve. Në të gjithë vendin punonjësit e Policisë së Shtetit janë angazhuar në zbatimin e masave kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së  COVID-19. Patrullat e Përgjithshme të Policisë, në oraret e lejuara janë të pranishme pranë bankave, supermarketeve dhe marketeve, ku ka dhe grumbullime të qytetarëve, me qëllim ruajtjen e  distancës së duhur, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19. Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të ruajnë distancën nga njëri- tjetri, të respektojnë oraret e lejuara të lëvizjes, si dhe të evitojnë daljet nga shtëpia pa pasur arsye thelbësore e jetike", njofton policia e Shtetit.