Në një atmosferë festive dhe me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve dhe vizitorëve, Lezha ka çelur zyrtarisht sezonin turistik veror. Ceremonia u zhvillua në bregdetin e Shëngjinit, i cili u gjallërua nga muzika, ushqimi tradicional dhe aktivitetet promovuese, duke prezantuar ofertën e pasur turistike të këtij rajoni.

Të pranishëm në hapjen e sezonit turistik ishin autoritete vendore dhe qendrore, të cilët u shprehën se zonat turistike të Lezhës po frekuentohen masivisht gjatë viteve të fundit dhe do të njohin një zhvillim të mëtejshëm, përmes projekteve konkrete që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve turistike.

Kryebashkiaku Pjerin Ndreu u shpreh i lumtur se në bashkinë e drejtuar prej tij dhe kryesisht bregdetin e Shengjinit, turizmi prej disa vitesh po njeh rritje, teksa sipas tij, investimet pritet ta kthejnë atë në zonën më të vizituar në vend.

Turistë dhe vizitorë u shprehën se Shëngjini dhe Lezha në tërësi janë një vend i mrekullueshëm për të kaluar pushimet verore, duke vlerësuar gjithçka ofron ky rajon.

Çelja e sezonit turistik në Lezhë shënon një nisje premtuese, me pritshmëri të larta për një rritje të numrit të turistëve vendas dhe të huaj përgjatë bregdetit dhe destinacioneve të tjera turistike të këtij rajoni.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:58
Shëngjini çeli sezonin turistik, Nufi: Më të përgatitur për një verë me më shumë vizitorë dhe cilësi shërbimi

Shëngjini çeli mbrëmë sezonin veror me një sërë aktivitetesh, ku morën pjesë qytetarë të Lezhës,  por edhe turistë nga vende të ndryshme. I pranishëm në aktivitetin për çeljen zyrtare të sezonit "Shëngjin 2026" ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, njëherësh i deleguar politik i Partisë Socialiste për qarkun Lezhë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Nufi e cilësoi Shëngjinin si një nga destinacionet më atraktive të turizmit shqiptar, duke theksuar se qyteti po konsolidon vit pas viti pozicionin e tij si një pikë referimi për turistët vendas dhe të huaj.

"Shëngjini nuk i ka lënë gjë mangët asnjë pike turistike në Republikë. Sot niveli hotelier, niveli i përgatitjes së të gjithë restoranteve, strukturave akomoduese në Shëngjin është i jashtëzakonshëm dhe për këtë ne jemi krenarë dhe jemi të bindur se Shëngjini këtë sezon do të ketë një sezon akoma më të sukseshëm se ai i kaluari. Këtë vit, Shëngjini do të shkëlqejë kudo. Sot jemi të bindur që ky sezon do të shënojë një sukses, jo vetëm për ata që do të vijnë, por edhe për bizneset, të cilët jam i bindur që do të kenë një standard të ri”, u shpreh ministri.

Ai përgëzoi edhe kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreun, për bashkëpunimin dhe koordinimin e punëve me autoritetet qendrore për përgatitjen e një sezoni të mbarë.