Që prej ditës së djeshme ka shpërthyer një debat i fortë në grupet WhatsApp të krijuara ditët e fundit nga koordinatorët e protestës, pas një mbledhjeje gjysmë të fshehtë që u zhvillua në Hotel Tirana. Sekreti që vazhdon të mbulojë organizatorët, në vend që ta bëjë procesin më efikas, po ushqen gjithnjë e më shumë dyshime, mosbesim dhe akuza të ndërsjella.

I pari që njoftoi për mbledhjen, vetëm pasi ajo kishte përfunduar, ishte Klajdi Bello, i cili publikoi në Facebook edhe fotografi nga takimi, duke shkruar:

"Vëllezër e motra, dëshirojmë t'ju informojmë se pas një takimi i cili zgjati 5 orë të plota, Grupi Nismëtar për organizimin e Kuvendit Kombëtar të Protestës, miratoi në unanimitet platformën dhe kriteret e anëtarësimit. Na u nevojiten 34 ditë për të arritur në këtë pikë, ku kemi pasur pafund shkopinj nën rrota, por Zoti është më i madh dhe është me ne! Mirënjohje pafund për kontribuesit (emrat nuk i themi sot për t'i mbrojtur nga represaljet, por të mirën s'ua harrojmë). Kuvendi, me hir a me pahir do të mblidhet! Protestuesit kanë nevojë për përfaqësim dhe ne jemi aty për këtë. Kjo gjë nuk diskutohet! Siç është e padiskutueshme kërkesa dhe vullneti i Sovranit për dorëheqjen e Edi Ramës!"

Megjithatë, kjo mbledhje nuk u prit mirë nga një pjesë e madhe e protestuesve, të cilët u ndjenë të përjashtuar nga një takim ku nuk kishin qenë të ftuar dhe që, sipas tyre, po merrte vendime në emër të të gjithëve.

Për të qetësuar polemikat ndërhyri në mbrëmje Edviol Kulluri, i cili është vetëshpallur edhe "Kryendrituri", duke sqaruar:

"Përshëndetje të gjithëve! Sot me kërkesën time dhe të disa prej anëtarëve të Grupit Nismëtar Koordinues të protestës, u mblodh një grup me njerëz për të formuar një Grup Pune për formimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar. Grupi i Punës do të përgatisë mbledhjen e madhe të Kuvendit Kombëtar Qytetar, e cila do të organizohet pas pak ditësh. Grupi i Punës nuk është Kuvend. Kuvendi nuk është krijuar ende. Në mbledhjen e Kuvendit do të ftohen të gjithë pa përjashtim, por puna për të kryer veprimet teknike kërkoi formimin e një grupi pune paraprak. Propaganda që kërkon të dëmtojë Kuvendin Kombëtar Qytetar po përpiqet ta paraqesë grupin e punës si Kuvend, por kjo është gënjeshtër. Ju lutemi të gjithëve të mos humbisni durimin dhe mirëkuptimin dhe të mos besoni propagandën që synon të dëmtojë procesin."

Por protesta, e lindur si lëvizja e gjenerata Z, duket se po vazhdon gjithnjë e më pak me studentët në qendër. Pikërisht për këtë arsye, një nga të paktët studentë që merr pjesë në organizim ndërhyri në mënyrë anonime në grupet WhatsApp:

"Takimi i djeshëm ka patur tre studentë. Kjo për info, sepse jam dhe unë në atë grup. Ftesa ishte, është dhe do të jetë publike dhe ka shëtitur dorë më dorë në rrjet, siç ka ndodhur edhe me njoftimet e tjera të Protestës. E kam hedhur edhe unë këtu në grup, kërkoje se e gjen. Ata që shikon në foto janë ata që iu përgjigjën fizikisht ftesës. Edhe ju mund të ishit aty dhe mund të jeni në mbledhjen e ardhshme. Ky nuk është Kuvendi. Është një grup pune që u mblodh për të ndihmuar organizimin e Kuvendit. Studentët do të kenë 'kuvendin' e tyre brenda Kuvendit."

Pasi u "sqarua" se studentët nuk do të jenë pjesë e Kuvendit kryesor, por do të kenë një "kuvend brenda Kuvendit", tensioni nuk u ul aspak. Përkundrazi, debatet vazhduan:

"Po njëqind herë po e themi, o njerëz! Informohuni para se të pyesni. Kriteret për të qenë anëtar i Kuvendit janë bërë publike. Të gjithë pyesni pa fund, por askush nuk merr mundimin të vijë e t'i bashkohet këtij grupi për të dëgjuar çfarë bëhet. Atij grupit nismëtar kush i tha të shkonte në Zvërnec? I morën leje ndonjërit? Ua tha zemra dhe dolën. Edhe te Protesta Tiranë, njerëzit u ftuan dhe dolën. Edhe Kuvendi po kështu. Po ftohen të gjithë. Ndërkohë që ju merreni me llafe këtu, dikush po punon. Doni t'i bashkoheni? Bashkohuni! Më transparente se kaq nuk bëhet. Nuk është parti që të dërgojë ftesa zyrtare; është një thirrje publike nga një pjesë e grupit nismëtar" shkruhet nje tjketer koordinator anonim.

Në të vërtetë, transparenca nuk duket aq e madhe. Të vetmit që kanë akses në këto informacione janë personat e ftuar në 2 apo 3 grupet WhatsApp, secili me rreth 500 deri në 800 anëtarë, ku shpesh bëhet fjalë për të njëjtët persona të pranishëm në disa grupe njëkohësisht. Shumë janë shtuar pa e kërkuar vetë dhe, duke parë dinamikën e diskutimeve, pjesëmarrës aktivë janë vetëm disa dhjetëra vetë. A mjafton një numër kaq i vogël për të pretenduar se mund të marrë në dorë të ardhmen e vendit?

Në fakt, janë vetë protestuesit, pjesë e këtyre grupeve, që shtrojnë pyetjet më thelbësore:

"Nëse Kuvendi do të jetë i gjithë protestuesve, atëherë kush vendosi që grupi përgatitor të përfaqësohej nga këta persona dhe jo nga të tjerë? A ekziston një procedurë publike dhe e hapur për zgjedhjen ose zgjerimin e këtij grupi? Nëse Kuvendi synon të përfaqësojë protestuesit, a nuk do të ishte më mirë që edhe Grupi i Punës të zgjidhej me një proces të hapur, ku çdo protestues të mund të propozohej, të pyeste dhe të kandidonte? Kjo do t'i jepte më shumë legjitimitet Kuvendit dhe do të shmangte çdo dyshim mbi procesin."

Ky është klima me të cilën koordinatorët e protestës pretendojnë të qeverisin "Shqipërinë e Re" dhe të zëvendësojnë institucionet kushtetuese të vendit, pa kaluar përmes votës së qytetarëve. Ata po përplasen me njëri-tjetrin ende pa nisur punën dhe tashmë dyshojnë ndaj njëri-tjetrit. Çfarë të ardhmeje mund të ketë një projekt që lind në këtë mënyrë?

Foto: Mesazhi i Edviol Kulluri në whatsapp

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:47
Deklarata e Kuvendit Qytetar të protestës: Asnjë negociatë me Edi Ramën

Pas polemikave që shpërthyen mes protestuesve për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar Qytetar në Hotel Tirana, Klajdi Bello, pjesë e grupit të punës, ka ndarë një deklaratë për shtyp. Në të thuhet se ky Kuvend ka për qëllim të marrë "rolin e përfaqësuesit gjithëpërfshirës të Protestës Kombëtare, por vetëm nëse merr miratimin e mbarë qytetarëve protestues". Mbetet e paqartë se si do ta marrin dakordësinë e të gjithë protestuesve, por Kuvendi Qytetar duket se një qëndrim e ka të qartë. Ata thonë se nuk do të pranojnë asnjë negociatë me kryeministrin Edi Rama.

Deklarata e plotë

Njoftim i Grupit të Punës për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar.

Dje, më datë 3 korrik 2026 u mbajt mbledhja e dytë e Grupit të Punës për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar. Mbledhja e këtij grupi dhe qëllimi i tij janë bërë me miratimin e Grupit Nismëtar Koordinues të Protestës Kombëtare, një pjesë e të cilëve janë pjesëtarë të grupit të punës, ndërsa të tjerë erdhën me cilësinë e vëzhguesit.

Kuvendi i Kombëtar Qytetar ka për qëllim të marrë rolin e përfaqësuesit gjithëpërfshirës të Protestës Kombëtare, por vetëm nëse merr më parë miratimin e mbarë qytetarëve protestues. Theksojmë që pa marrë paraprakisht këtë miratim nuk mund të quhet ende përfaqësues i Protestës Kombëtare.

Qëndrimi unanim dhe i padiskutueshëm i grupit të punës për formimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar është : NUK KA DHE NUK DO TË KETË NEGOCIATA me Edi Ramën.

Grupi i Punës në themel të veprimtarisë së tij ka këto qëndrime, prandaj ka ngjallur frikën dhe revanshin e sistemit të vjetër dhe establishmentit aktual, i cili, me të gjitha mjetet, po lufton ta përçajë, delegjitimojë dhe armiqësojë Grupin e Punës me protestuesit dhe popullin si dhe po investon gjithçka për të ndaluar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar Qytetar.

Ky establishment ka tmerr nga bashkimi i të gjithë shqiptarëve atdhetarë në një tryezë të përbashkët ku do të ulen e bashkëveprojnë mbi 300 persona anti establishment, nga më cilësorët që ka vendi ynë

Ndërkohë puna nga ana jonë po vazhdon me intensitet dhe presioni i politikës së vjetër bashkë me mediat e kapura të saj thjesht po rrit motivimin tonë e të mbarë qytetarëve protestues.

Kuvendi Kombëtar Qytetar është i popullit dhe produkt i protestës qytetare. Ai do të mblidhet me çdo kusht e çdo shqiptar atdhetar do ta ndiejë veten të mirëpërfaqësuar prej tij!