Sheqeri i Fidel Castro-s në Anijen Vlora dhe Eksodi i 20.000 shqiptarëve! Esencë-Report Tv

Sonte në Emisionin Esencë ishin të ftuar: Çlirim Çepani, Ish Diplomati që bëri porosinë e sheqerit kubanez te Fidel Kastro jashtë mundësive të kohës.

Halim Milaqi, Ish Kapiten i Anijes Vlora.

Ndër të tjera: Çfarë tha Fidel Kastro për sheqerin kubanez që u soll nga Anija Vlora?

Esencë me Eljan Taninin, çdo të premte dhe të diel ora 21:00 në Report Tv.

Eljan Tanini: -Çfarë ndodhi, ju tha ministria përkatëse për një kërkesë të madhe me sheqer? Ishte diçka emergjente?

Çlirim Çepani: -Ishte kohë e vështirë ekonomike, ishim në krizë! Unë isha Ambasador në Kubë, na vjen një telegram që tregon gjendjen e keqe ne Shqiperi, ku luten të ndërhyjmë në Qeverinë Kubane. Plani për atë vit ishte mbyllur, ishte realizuar plani dhe nuk bëhej fjalë fare për diçka shtesë. Për këtë gjë unë takova zëvendësin e Fidelit që ishte edhe ministër i tregtisë së jashtme, dhe me urdhër të Fidelit kthen përgjigje për po, 10 mijë e pesëqind ton sheqer!

Eljan Tanini: -A ishte ky sheqer kaf apo i bardhë?

Halim Milaqi: -Ishte edhe i bardhë edhe kaf, por me shumë sheqer i bardhë!

Çlirim Çepani: -Halimi ishte djalë i ri kur erdhi atje te ne në Kubë! Kapiteni baze mori azil politik ne Hollandë, më pas e zëvendësoi Halimi pasi ai e la detyrën.

Eljan Tanini: -Ju të dy sa kohë keni qe nuk shiheni me njëri tjetrin?

Çlirim Çepani: -Ne kemi vite që nuk shihemi, rreth 10 vite. Sot u takuam këtu në studio pas kaq shumë vitesh!

Eljan Tanini: -Zoti Milaqi, për sa kohë e bën një anije nga Durrësi në Havana?

Halim Milaqi: -Varet nga shpejtësia, Vlora ka qenë anije me shpejtësi të mirë. Është prodhim i vitit 1961 në Itali-Ancona, ka ardhur në Shqipëri pas një viti. 16 milje në orë e kishte anija shpejtësinë ku anijet dominojnë te shpejtësia 10-12, ishte 147 m e gjatë, 19 metra e gjerë, tonazhi ishte 12.600 ton. Nga Durrësi shkohet në Kubë për rreth 14 dhe 17 ditë.

Ne ngarkoheshim dhe shkarkoheshim kudo, në Francë ishim për bimë medicinale, në Hollandë shkarkuam ferro krom, dhe kishim edhe 2000 ton konserva për Kubë. Anija që mos të bënte rrugë bosh mori me vete shumë gjëra.

Çlirim Çepani: -Tregtia me Kubën në ato vite ishte me klering, merrnim çdo gjë nga ndërmarjet ushqimore kudo në Shqipëri. Bilanci bëhej në fund të vitit mbi baza çfarë të dhashë dhe çfarë më dhe. Marinarët dhe stafi lejohej të dilnin nga anija vetëm me lejen e ambasadës.

Halim Milaqi: -Ishte fat i madh për ne që porti i parë ishte Havana, sepse në fillim shkarkuam atje, ndërsa sheqerin e morëm në tre porte të tjera.

Çlirim Çepani: -Përveç makinave tona, morëm edhe një mikrobuz për marinarët që ata të shihnin Havanën, në darkë mblidheshin të gjithë në Ambasadën Shqiptare në Havana.

Eljan Tanini: -Sa staf ka një anije si Vlora?

Halim Milaqi: -45 veta dikur, ndërsa sot 22-23 maksimumi 26 vetë. Ka shumë arsye, financat, ekonomia etj…

Eljan Tanini: Sa ishte rroga e një marinari si ju z.Milaqi?

Halim Milaqi: -Rrogat nisën duke evoluar pak a shumë. Unë e mbylla me rrogën kur punonim tranzit, 300 dollarë në muaj. Ose rreth 200 mijë lekë. Ndërkohë një i huaj merrte rreth 6-7 mijë dollarë. Kam punuar në flotë 22 vjet, profesioni jonë është navigator si i flotës detare ashtu edhe asaj ushtarake.

Eljan Tanini: -Sa vjeç ishit Ambasador në Kubë ju z.Çepani, dhe sa vjeç ju kapiten i Anijes Vlora z.Milaqi?

Çlirim Çepani: -Unë 42 vjeç Ambasador në Kubë!

Halim Milaqi: -Ndërsa unë 39 vjeç u bëra Kapiten i Anijes Vlora!

Çlirim Çepani: -Ka qenë një brez shumë punëtor, të disiplinuar, të përgatitur. Shkolla ishte e gjerë dhe cilësore, vetem në gjimnaz kemi studiuar shumë gjëra, edhe astronomi madje!

Halim Milaqi: -Ne ishim pa aparatura dhe dy radarë. Në mes të oqeanit nuk bën dot përcaktime, kemi bërë lundrime ku vendodhjen e kemi përcaktuar me yje, diellin, hënën me shumë shumë pak gabime në oqean.

Çlrim Çepani: -Ishte koha kur drejtonin me sy!

Eljan Tanini: -Zoti Milaqi, cili ishte fati i Anijes Vlora më pas? Çfarë ndodhi me të?

Halim Milaqi: -Anija Vlora punonte tranzit deri në vitin 1995. Jemi marrë me çimenton në Rumani dhe Nigeri. Kemi qendruar 4 muaj pritje në Nigeri, në spirancë, sepse nuk u bë pagesa në kohën e duhur. Jam furnizuar shumë mirë me ujë në Rumani. 11 mijë ton çimento dhe 600 ton ujë për larje dhe te pishëm. Patën edhe dyshime për ngarkesën tonë me ujë përpara se të niseshim, në kontrollin e detyryar rutinë. Qendruam në 4 muaj spirancë, torturë, pa ushqime, pa lekë! U furnizuam me karburant në Las Palmas.

Kemi mbijetuar me vaj, makarona, miell, oriz, djath shumë pak. Anija bëri edhe një rrugë të shkurtër dhe më pas iku për skrap në demokraci. Unë anijen e kam marrë në Hollandë, vazhdova si kapiten i saj deri në vitin 1995. Kur ne ishim kthyer nga Kuba, në kalatën nr 5 pas 7-8 ditësh dëgjoj që do të hapet porti. Anija ishte jashtë gadishmërie nëse do të vinte dikush që kërkonte të merrte anijen. Më thanë të vazhdoja shkarkimin dhe të mos e pezulloja punën. Porti u hap pas 30 minutave. Bankina u mbush me shumë njerëz, u thamë që jemi me avari, shkallën e kishim të ngritur. Anijet e tjera dolën nga porti. Dy vetë u futën nga litarët, më thanë të ul shkallën me dhune!

Njëri prej tyre më goditi në këmbë, jam çarë. Njerëzit ngjiteshin tashmë nga kudo, nga të kishin mundësi. Nga anija, nga kthimi i parë prej atyre që ikën janë rreth 18.500 vetë.

Çlirim Çepani: -Në atë kohë ardhja e anijes Vlora shkaktoi tërmet në qeverinë italiane. Kryetari i Bashkisë së Barit ishte pro emigrantëve, qeveria ishte kundër. Policia u çorientua, u bë një acarim shumë i fortë në atë çast.

Halim Milaqi: -Porti u hap rreth orës 10:30 të mëngjesit. Motorri i anijes sonë ishte jashtë. Nga ora 15:00 motorri u mbyll, në radë mbaron uji i ëmbël! Inxhinieri nisi të ftohte motorrin me ujë deti. Manovra nuk duheshin bërë fare, ishte e ndaluar. Motorri nëse fikej mes detit  do të donte kohë të rregullohej. Në Brindisi, kapiteneria e tyre nuk na la të ndalonim atje. Vazhdova lundrimin drejt Barit, atje ishin marrë masa, ndërkohë flisja edhe me italianët në radio. Në mëngjes herët më erdhi një anije ushtarake që më rrinte afër.

Nuk na lanë as ata të hynim në Port, kam bërë debat me kapitenin barez për të hyrë në Portin e Barit, nuk kisha zgjidhje tjetër. Ne në det përdorim më tepër anglishten sepse ishte dhe është gjuhë më e përshtatshme.

Na erdhi pranë një helikopter që e goditën me shapka, këpucë dhe kallash. Njerëzit u hodhën në det sapo anija ndaloi në port, madje atje pashë në hartë një cektinë që mund të më ndihmonte me manovrat e mia për të ndaluar anijen. Më kërcënonin lloji-lloji shqiponjash, po më vdiq foshnja më tha njëri do të mbash ti përgjegjësi!. Populli jonë, ata në anije nuk ishin në gjendje as të na ndihmonin. Populli ka hyrë dhe ka ngrënë sheqer, madje ishte edhe vapë shumë e madhe. Ne vendin e drejtimit atje ku rrija unë nuk lejohen të hyjnë jo më shumë se 2 vetë, unë aty kisha 200-300 vetë!

Më kishin bllokuar edhe antenën e radarit, kaloi një herë pranë nesh edhe një anije e vogël. Ishte fat i mirë i joni që nuk u aksidentuam, ishim në mes të Adriatikut.

Çlirim Çepani: -Ky është një udhëtim i madh shumë edhe për vende të tjera, rreth 20 mijë vetë, sidomos presioni që ka jetuar kapiteni i anijes. Ky kapiten dhe të tjerët me atë anije kanë shpëtuar jetë.

Halim Milaqi: -Atje në anije kishte foshnje dhe të gjitha brezat, pjesa e poshtme ishte në rregull, por më zinin pamjen. Ata njerëz kanë qendruar 24 orë pa lëvizur. Kam zbritur një herë nga timoneria për nevoja personale.

Eljan Tanini: -Si hynë shumica e njerëzve në anije?

Halim Milaqi: -Nga shkalla dhe nga litarët e anijes hynë dhe hypën njerëzit pa pushim. Në Bari anija qendroi 45 ditë, për faktin se kishim bërë një transport jo të ligjshëm. Kishte edhe njerëz që donin të ktheheshin për në Durrës. Për 45 ditë anija u kthye në gjendjen e saj primare, çdo gjë ishte prishur. Jemi furnizuar për 1 muaj e gjysmë me pesë artikuj. Bukë, djath, gjalp, sallam domate, e rrallë kos. Një herë në dy ditë merrnim ushqimin me një triçikël.

Çlirim Çepani: -Shteti ra në mënyrë të turpshme. Këta emigrantë e mësuan shtetin, ata që sulmuan vaporët. A ju thanë për ndonjë dëm të madh që i shkaktuat shtetit?

Halim Milaqi: -Unë kam qenë i ngarkuar gjithmonë. Në Eksodin e Marsit ikën shumë njerëz me anijet që gjetën atje. Vetë drejtori i portit më tha largohu sepse do të prishet ngarkesa.

Çlirim Çepani: -Ai sheqer nuk u pagua, sepse nuk u bë marrëveshja për të, Fideli thjeshtë e dha. Ishte disa milionë dollarë. Kjo është një histori e madhe, është një eksod i madh me 20 mijë vetë. Është zotësia e këtyre personave që e mbajtën atë anije në këmbë. Nga qeveria shqiptare jo, asnjë zotësi, asgjë! Nëse do të ndodhte ndonjë aksident rrugës do të ishte fatale.

M.Q./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi