Shërbimin e Jashtëm e keni kthyer si strehë pensioni për ish-deputetët e PS”, kështu deklaronte Gazment Bardhi në seancën e fundit parlamentare lidhur me propozimet e depozituara në Komisionin e Jashtëm për zgjedhjen e dy ambasadorëve, për NATO-n dhe në Katar, por “për çudi”, sot qëndrimi nuk ishte i njëjtë për të gjithë demokratët.

Emri i propozuar në Komision për të shërbyer si diplomat i Shqipërisë në NATO është ai i ish-deputetit të Partisë Socialiste Bardhyl Kollçaku. Për t’i shërbyer Shqipërisë në Katar është propozuar emri i 26-vjeçares Jeta Kreta.

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa në Kuvend e përmendi me emër dhe mbiemër Bardhyl Kollçakun, duke shprehur të njëjtin qëndrim si kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, por demokrati Tritan Shehu mesa duket për këtë rast nuk është në një frekuencë me kolegët.

“Ish-deputeti Bardhyl Kollçaku bëhet ambasador në NATO dhe ish-akademikia politike Jeta Kreka bëhet ambasadore në Katar. Ambasadat janë mbushur me ish-deputetë të PS-së, për një pensionim luksi. Shumica e ambasadave sot janë nga ish-analistë të majtë, nga ish-deputetë socialistë, nga ish-zv.ministra socialistë”, tha Zhupa.

I vetmi nga PD që ishte prezent sot në Komisionin e Jashtëm, Tritan Shehu e vlerësoi kandidaturën e Kollçakut për ambasador, duke shprehur dhe besimin se ish-deputeti i PS do ta përmbushë me dinjitet detyrën që do t’i ngarkohet.

“Keni një CV të pasur, megjithëse nuk keni eksperiencë diplomatike. Besoj që ju do ta kryeni me dinjitet detyrën e rëndësishme që keni dhe që iu është ngarkuar. Një nga pikat kryesore ku duhet të punojmë është anëtarësimi I Kosovës në NATO. Të uroj suksese, ju e njihni mirë politikën e NATO-s”, deklaroi Shehu për kandidaturën e Kollçakut.

Pa asnjë debat kaloi gjithashtu dhe kandidatura e Jeta Kretës dhe tashmë së bashku me atë të Bardhyl Kollçakut, do t’i bashkëngjiten raportit të hartuar nga Komisioni i Jashtëm dhe do të dërgohen për dekretim tek presidenti i Republikës Bajram Begaj.