Edhe pse ishte deklaruar se do të vihej në funksion të qytetarëve dhe vizitorëve, sheshi kryesor i qytetit të Lezhës është kthyer sërish në parking automjetesh.
 
Ndonëse ka disa tabela që ndalohet parkingu, në këtë vend mund të hysh dhe dalësh lirisht. Janë vetë punonjës të Administratës së Bashkisë Lezhë të cilët japin shembullin më negativ, duke parkuar automjetet e tyre në shesh, e kjo në shkelje të plotë të ligjit.
 
Siç duket Policia Bashkiake është e pafuqishme për të penguar hyrjen e automjeteve në shesh, apo dhe për t'i gjobitur ato.
 
Efektivi i Policisë Bashkiake të Lezhës Jak Gegaj thotë se kjo situatë është krijuar për shkak të një defekti  të trarëve pengues të cilët kanë dalë jashtë funksioni, por që sipas tij kjo do të marrë fund në një kohë të shpejtë dhe të gjitha mjetet që parkojnë në këtë vend do të përballen me gjoba.
 
Me rikualifikimin e qendrës së qytetit të Lezhës u ndalua dhe parkimi i automjeteve brenda sheshit, pasi konstrukti i ndërtimit me gur nuk e përballon pesha të rënda. Por për sa kohë mjetet do lejohen të lëvizin brenda sheshit, ky investim i rëndësishëm për Lezhën rrezikon të dëmtohet.

sheshi ne parking
sheshi parking lezhe
sheshi parking lezhe


Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com