'Vallëzo me ne', shfaqje gala në TKOB nga Adela dhe Anxhelo Muçollari! Vëlla e motër 'celebrojnë' 15 vite në skenë

Prej 15 vitesh bashkë në skenë, Adela dhe Anxhelo Muçollari, vëlla e motër, sjellin në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, një shfaqje të veçantë gala, “Vallëzo me ne”, me kryevepra të baletit klasik, modern, e pjesë operistike nga Simona Karafili e Denis Skurra.

Për 1 orë e 10 minuta, publiku do të ketë mundësi të shijojë pjesë nga baleti “Coppelia”- vajza me sy smeraldi, apo koreografi kontemporane nga Sebastian Galier, ndërkohë që në skenë i ftuar special do të vijë nga Vjena edhe balerini Eno Peçi, i cili do të interpretojë në krah të Adela Muçollarit, primabalerina e TKOB prej 10 vitesh

“Do të vijë për të interpretuar në krahun tim dhe do të jetë një krijim i Peçit. Ka qenë një bashkëpunim jashtëzakonisht i bukur se njëherë shkoja unë në Vjenë dhe punonim dhe pastaj vinte Eno këtu e punonim në teatër. Pjesa ‘Hush’, e cila do të interpretohet me Enon është një pjesë, që ka një teknikë shumë të lartë interpretative. Kam fatin të interpretoj krah Enos, që siç njihet është ambasadori ynë më i mirë i baletit. “Është menduar një program që mbulon të gjithë pëlqimet e audiencës së gjerë. Kemi kryevepra të baletit klasik, të baletit modern. Kemi goxha të ftuar specialë, siç është Eno Peçi, Simona Karafilin dhe Denis Skurrën”, - shprehet Adela Muçollari.

Interpretimi i një prej dueteve më të bukura të Çajkovskit, do të vijë në skenë nga Anxhelo Muçollari dhe Sabina Maklekaj, të cilët janë të dashuruar jo vetëm në skenë, por edhe në jetën reale.

“Kur shikon edhe dy të dashuruar në skenë është akoma edhe më bukur. Për mua është emocion shumë i madh, sepse si unë dhe Anxhelo kemi 15 vite që ndajmë këtë skenë. Tashmë, pjesë e familjes sonë është edhe Sabina.”, - thotë primabalerina e TKOB.

Të qenit familjarisht në skenë, për Anxhelon e bën të nevojshme që gjërat të jenë perfekte, por ka edhe një anë pozitive, pasi lidhja e gjakut dhe ajo familjare të bën të kuptosh më mirë dhe skuadra është solide.

“Kemi një rrugëtim shumë të gjatë dhe tashmë me Adelën jemi bërë shumë kompakt me njëri-tjetrin dhe është një nga pikat e forta që ne kemi në përpilimin e gjërave të mëdha, jo vetëm të baletit. Gjithashtu kemi edhe duetin e Çajkovskit, të cilin e performoj me Sabinën, që është edhe ajo një pjesë e rëndësishme imja. Është dueti i dashurisë, ku do të përcjellim gjithë emocionet tona për publikun e gjerë, ndjenjën e dashurisë dhe përkushtimin që vërtet vjen nga jeta familjare, nga jeta personale në skenë.”, - thotë në një intervistë për 'Report TV', Anxhelo Muçollari.

Pjesë e shfaqjes “Vallëzo me ne” do të jetë edhe trupa e baletit të TKOB, e drejtuar nga Alisa Gjoni, si edhe Shkolla Kombëtare e Baletit nën drejtimin e Blerina Arbanës. Adela rrëfen se shkolla e baletit është pjesëmarrëse në çdo produksion të tyrin, sepse shkolla është pikërisht vendi ku artistët nisin rrugëtimin e tyre.

“Është një ekip jashtëzakonisht i madh, duke filluar që nga kolegët. Janë të gjithë me dashurinë e të bërit të një premiere fantastike. Është një shfaqje që ka shumë dimensione dhe mendoj që një mbrëmje gala e sjellë ndryshe, e sjellë për publikun në një tjetër standard dhe garanton sukses”, - shton me krenari Adela Muçollari.

“Vallëzo me mua” vjen në kuadër të 15 viteve që të dy artistët, Adela dhe Anxhelo Muçollari kanë në skenën e TKOB.  Mjeshtër ndriçimi i shfaqjes është Eni Tafaj, mjeshtër projeksioni Fabian Basha etj. Publiku mund ta ndjekë shfaqjen të shtunën dhe të dielën në orën 20:00 në TKOB.

B.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?