Shiroka si gjithnjë mbetet destinacion i veçantë kryesisht për të huajt.

Pamja unike që ofron liqeni, qetësia, mikpritja, gastronomia, lojërat ujore për vizitorët mbeten eksperienca të veçanta.

“Përshëndetje, unë jam Maxim. Jam nga Belgjika dhe do të qëndroj 19 ditë në Shqipëri. Dje shkuam për të notuar. Liqeni është vërtet shumë i bukur. Uji është i ngrohtë, nuk ka shumë njerëz dhe atmosfera është shumë e këndshme. Sot do të bëjmë SUP (lundrim me dërrasë) drejt urës pranë kalasë. Besoj se do të jetë një eksperiencë shumë argëtuese”, thotë Maxim.

“Jam nga Anglia. Erdha sepse është një vend kaq i bukur. Ndoshta është vendi më i bukur që kam vizituar ndonjëherë, ndaj ndihem me shumë fat që jam këtu. Mendojmë se është mahnitës dhe të gjithë njerëzit që kemi takuar kanë qenë shumë miqësorë dhe mikpritës. Është një përvojë e mrekullueshme.”

“Sigurisht që do ta rekomandoj. Mamaja ime dëshiron të shohë disa fotografi, sepse edhe ajo ka shumë dëshirë të vijë këtu. Është një vend ku nuk kishim qenë më parë. Nuk kam udhëtuar shumë në Evropën Lindore, ndaj kjo është një zonë krejtësisht e re për mua.”

“Po, është fantastike. Moti është shumë i nxehtë, njerëzit janë të qetë e të sjellshëm, ndërsa ushqimi është i shkëlqyer. Sapo kemi nisur udhëtimin tonë dhe do të vazhdojmë ta eksplorojmë të gjithë zonën. Deri tani gjithçka ka qenë e jashtëzakonshme.”

“Po, sigurisht. Mendoj se disa nga miqtë e mi do të donin të vinin këtu, ndaj patjetër që do t’i inkurajoj ta vizitojnë këtë vend.”

Pamjet panoramike që ofron zona breg-liqenore po ndikon që vizitorët të bëhen ambasadorët më të mirë të bukurive që ofron Shkodra.