TIRANE- Shërbimi Informativ Shtetëror ka zbardhur emrat e 26 shqiptarëve, të cilët janë në krah të luftëtarëve të ISIS dhe organizatave të tjera që janë pjesë e luftimeve kundër regjimit të Bashar-Al-Asadit. Burimet nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se emrat e 26 shqiptarëve janë zbardhur nga hyrje-daljet në pikat e Kalimit Kufitar, të cilët kishin si destinacion Sirinë. Për formulimin e kësaj liste, burimet thonë se kanë kontribuar edhe deklarimet e personave të kthyer nga lufta në Siri, kontaktet me familjarët e disa prej tyre dhe informacioneve operative.

Verifikimi
Nga ana tjetër, mësohet se Shërbimi Informativ Shtetëror ka verifikuar emrat nga homologët e tyre turq, italian, grek, maqedonas dhe kosovarë. Burime nga SHISH thonë se këto verifikime janë kryer pasi disa prej shtetasve shqiptarë kanë përdorur aeroportet dhe pikat e kalimit kufitar të këtyre vendeve për t’iu bashkuar luftëtarëve të ISIS-it në Siri dhe Irak. Por nuk përjashtohet mundësia që ndonjëri nga këta persona, të jetë larguar drejt vendeve të BE-së për shkak se kthimi në Shqipëri është i pamundur, që pas ndryshimit të ligjit që burgos të gjithë ata persona që kanë luftuar në vendet e huaja. Gjithashtu, burimet thonë se vendndodhja e disa prej tyre nuk dihet, për shkak se mungon informacioni i detajuar. Ndërkohë, disa nga familjarët e këtyre personave, janë shprehur se prej kohësh nuk kanë kontakte me njerëzit e tyre, siç ishte edhe dëshmia e vajzës së Mustafa Kuçit i cili është larguar në janar të 2014 nga Shqipëria.

Aktivët në luftë
Ndërkaq, të njëjtat burime nga Policia e Shtetit theksojnë se më aktivët në luftime në Siri dhe që dihet vendndodhja e tyre është për shtetasin Almir Daci, i njohur si ish-imami i xhamisë së Leshnicës, i cili është larguar së bashku me familjen drejt Sirisë. Sipas informacioneve, ky ka qenë edhe personi i kontaktit me të pandehurit që ndodhen në proces gjykimi pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda si rekrutues të besimtarëve musliman. Bashkë me Almir Dacin mendohet se janë edhe shtetasit Nertil Hysenllari, Adrian Kuqo, Besmir Cake dhe Krenar Shuli. Sipas policisë, kësaj liste mund t’i shtohen edhe shtetas të tjerë shqiptarë të cilët kanë qenë në emigrim dhe që andej i janë bashkuar luftëtarëve në Siri e Irak.

Mësohet se numri i këtyre personave nuk është saktësuar për shkak të vështirësive të kontakteve të mundshme me familjarët e tyre, që nuk tregojnë bashkëpunim thonë burimet e policisë. Ndërkohë, Almir Daci, i riu nga Pogradeci që lufton për ISIS dhe që u shfaq disa kohë më parë në një video duke kërcënuar Shqipërinë, dyshohet të ketë urdhëruar vrasjen e Shkëlzen Dumanit që shkoi në Siri për të luftuar përkrah tij. Dumani iku në Siri në vitin 2013 me 2 fëmijët e tij
 
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)