Florenc Hoxha, ish-drejtor i Policisë Bashkiake të Tiranës 2011-2015 është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit. Ai ishte dënuar nga Gjykata e shkallës së parë të kryeqytetit me 1 vit e 4 muaj burg në vitin 2016.

Ndaj Hoxhës rëndonin disa akuza si ajo e shpërdorimit të detyrës dhe ajo e plagosjes, pasi në vitin 2014 ai është konfliktuar me një shtetas në Tiranë për një çështje pronësie. Gjithashtu, Hoxha akuzohej edhe për lejimin e ndërtimeve pa leje në kryeqytet si dhe shembjen e disa objekteve të ligjshme.

Nga kjo përplasje mbeti i plagosur me armë zjarri Ylber Isufaj. Ky i fundit akuzoi për ngjarjen Florenc Hoxhën, atëherë drejtor i Policisë Bashkiake dhe shoqëruesin e tij. Trupi gjykues në Gjykatën e Apelit përbëhej nga gjyqtarët Fatmira Hajdari, Andi Civici dhe Shkëlqim Mustafa.