Mbrëmjen e së enjtes, në përfundim të mbledhjes së grupit të PS, kryeministri Rama njoftoi shkarkimin e Ballukut nga dy postet e saj si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, pjesë e 7 ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Një ‘furtunë’ që ka ngjallur tashmë shumë diskutime, të cilën opozita po e percepton si ‘rreziku’ që po ndien kryeministri.

Në një bisedë në “Studio Live” në Report Tv, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, foli edhe për kategorizimin që Rama i bëri kësaj partie duke i quajtur “komunistë”. Sipas Muçit, është thjesht tregues i parehatisë së kryeministrit, ndërsa sa për ndryshimet në qeveri, nuk përbëjnë diçka të rëndësishme për politikën.

“Mendoj se Edi Rama e ndien njëfarë rreziku që vjen, sidomos nga e majta dhe me batutat e tij po përpoiqet të diskreditojë lëvizjen tonë. Tentativë të ngjashme tentoi të bënte edhe Erion Braçe nga Kuvendi kur diskutonim çështje të caktuara. Qoftë edhe qasja e tij për të bërë ndarje ballistët dhe komunistët, tregon parehatin e tij me një subjekt si Lëvizja Bashkë. Ndryshimet në qeveri janë lëvizje që thelbësisht nuk i thonë asgjë politikës shqiptare”, tha Muçi.

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, i cili ndodhet në një lidhje direkte, thotë se prej dy ditësh i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që të dorëhiqet. Ai shprehet se Rama e Berisha janë kthyer në pronarë të partive, ndërsa ndryshimet në qeveri nuk sjellin një të mirë publike.

“Kam dy ditë që i kam bërë apel publik Ramës që të japë dorëheqjen sepse situata ku ndodhet vendi ynë, kemi arritur në një pikë kritike dhe duhet të ketë patjetër iniciativa qytetare, jo vetëm partiake për të marrë përgjegjësi për pikën e kthesës ku gjërat duhet të kthehen nga drejtimi i gabuar.  Ndryshimet janë jo dinjitoze. Rama ka sjellë në kulturën shqiptare faktin vetëm unë e di kur do të bëhet dhe sa do të qëndrojë. Rama dhe Berisha i kanë kthyer partitë politike në sh.p.k personale dhe vendosin kush do të promovohet, kush do të goditet pas shpine, si do të zgjerohen interesat dhe çdo ndryshim tregon mungesën e mentalitetit të tij shtetformues në demokratizimin dhe qeverisjen e fundit. Rama është i sinqertë në vulgaritetin dhe agresivitetin e tij. Nuk sjell një të mirë publike, nuk hyjnë emrat fare”, tha Malaj duke u bërë thirrje socialistëve që “të mos bëhen skllevër të Ramës”.

Për emrat e rinj në qeveri, Muçi tha se janë “njerëzit e Ballukut”, ndërsa shtoi se largimi i Spiropalit lidhet me luftën e brendshme mes tyre.

“Fakti që zëvendësimet janë njerëzit e saj qoftë në Ministrinë e Infrastrukturës, përflitet që njerëzit që janë aty janë njerëzit e saj. Përflitet edhe që arsyeja pse Spiropali u hoq nga pozita e vet ëstë për shkak të luftës së brendshme mes saj e Ballukut. Rama e lëshoi Ballukun nga pozita e saj si ministre 4 muaj pasi duhet ta kishte marrë këtë vendim për t’i hapur rrugë drejtësisë, ama e ka bërë këtë gjë me kushte sipas përcaktimit që ka bërë vetë Belinda Balluku dhe duket sikur po shkohet drejt refuzimit të heqjes së imunitetit të saj në seancën e 5 marsit, bazuar edhe në deklaratat e Manjës që mjafton pezullimi nga detyra”, tha Muçi.

Ndërsa e nisi diskutimin me partitë e reja që të jenë një pol politik, Malaj tha se nëse Rama ka pasur mbi tavolinë 3 dorëheqje nga Balluku, të cilat kryeministri tha se nuk i ka pranuar, kjo është pabesi.

“Nëse Rama ka pasur realisht mbi tavoliën 3 dorëheqje të saj se dorëheqjet janë me numër protokolli, nuk janë biseda telefonike apo po pi një kafe, dhe Rama nuk i ka miratuar, kjo është pabesi dhe shfrytëzim ekstrem. A është e fajshme a e pafajshme, gëzon të drejtën e prezumimit të pafajësisë. Nëse e duan këtë, duhet ta vënë për të gjithë shqiptarët. Imunitetin mbaje për gjëra shumë specifike. Unë do të bëja thirrje që politikanët shqiptarë ta dorëzojnë imunitetin. Ndryshimet s’do të sjellin ndonjë gjë të madhe. Zgjidhja e problemit fillon nga Rama. Rama ka në dorë çfarë trashëgimie do të lërë në politikën shqiptare”, tha Malaj.

Sa për protestën e opozitës të shtunën (28 shkurt), Muçi e Malaj bien në një mendje, nuk do të kenë asnjë impakt.

Redi Muçi: Nuk besoj se do të arrijnë ndonjë gjë të madhe protestat e organizuara nga PD sepse ndodhemi në një lloj ngërçi politikisht për faktin që nga njëra anë partia në pushtet është tërësisht e deligjitimuar, pasqyrojnë njëra-tjetrën në njafrë mënyre Berisha me Ramën.

Petrit Malaj: Binjakë siamezë. Nuk i ndan dot pa i operuar.

Redi Muçi: Janë në një lloj simbioze dhe s’më duket se protestat që organizon PD do të kenë ndonjë efekt për ta detyruar Ramën. Edhe kjo dhuna e orkestruar nga ana e protestuesve të PD e vendos në një pozitë më të rehatshme Ramën se thotë ja kush është PD.

Në përmbyllje të bisedës, Malaj thotë se ndryshimi i qeverisë është një proces dhe nuk vjen në format që kërkon opozita, me dhunë e privatizim të protestës.

“E para mbi të gjitha, duhet të bjerë modeli që qeveria ndryshohet nga protestat agresive. E dyta, përvoja ndërkombëtare tregon që ndryshimi vjen nga gjenerata Z. E treta, kur njerëzit binden se vota e tyre s’ka vlerë, autokracitë svijnë me tanke, ata vrasin shpresën. Nëse opozita kërkon të marrë autoritësinë e protestës së shqiptarëve, do të jetë vdekje e shpirtit të protestës”, tha Malaj.