Nga viti i ardhshëm kopshtet dhe çerdhet publike në Tiranë do të jenë falas. Njoftimin e dha kreu i bashkisë së Tiranës, Ejron Veliaj në një postim në rrjetet sociale, duke e vlerësuar një tjetër hap në mbështetje të prindërve

Aktualisht, prindërit paguajnë 130 lekë në ditë në çerdhe dhe 160 lekë në ditë për kopshtet. Ndërkohë, për të dyja institucionet aplikohet edhe një fond garancie prej 5 mijë lekësh.

Po në të njëjtin postim Veliaj njoftoi emërimin e Arjola Byzyka në krye të kopshteve dhe çerdheve, pas shkarkimit të Zhaneta Beqirit, të cilën kryebashkiaku e falënderoi për 3 vitet e bashkëpunimit dhe kontributin e saj

"Pas 13 vitesh bashkëpunimi me Zhanetën dhe me mirënjohje për kontributin e saj në drejtimin e Drejtorisë së Çerdheve dhe Kopshteve, Arjola Byzyka merr sot drejtimin e kësaj drejtorie, duke vijuar punën e nisur ndër vite.

Një nënë e dashur, profesioniste, aktiviste e palodhur dhe e përkushtuar në çdo detyrë që i ngarkohet.

Këtij ndryshimi i bashkohet edhe një lajm i bukur për të gjitha familjet: Nga viti 2027, çerdhet dhe kopshtet do të jenë falas!

Një tjetër hap i rëndësishëm në mbështetje të prindërve dhe në krijimin e më shumë mundësive për fëmijët tanë", shkruan Veliaj. 

TARIFAT
– Tarifa e ditëgrënieve për çerdhet 130 lekë/ditë
– Tarifa e ditëgrënieve për kopshtet 160 lekë/ditë
– 5000 lekë fondi i garancisë për Kopshtet
– 5000 lekë fondi i garancisë për Çerdhet