Shkeljet e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në më shumë se 250 praktika legalizimesh kanë çuar në kallëzimin penal të ish-drejtorit të ALUIZNI-t Lezhë Pashk Luka dhe tre nëpunës të tjerë të këtij institucioni.
 
Përmes një deklarate zyrtare KLSH njoftoi se zyrtarët janë përgjegjës për shkelje financiare prej rreth 200 mijë dollarësh.
 
Ata fajësohen për legalizime në zona të ndaluara nga ligji, afër rrugës kryesore, lumenjve, kanaleve kryesore, pa dokumentacion, shmangie për pagesa detyrimesh financiare.
 
Dëmi ekonomik i llogaritur nga KLSH arrin në vlerën 5,9 milionë lekë, ndërsa shkeljet e disiplinës financiare në vlerën 14,3 milion lekë.
 
KLSH konstaton se në 32 raste legalizimet janë kryer në kundërshtim të plotë të ligjit. Në 44 raste nuk janë llogaritur penalitetet dhe janë kryer procedurat e legalizimit pa arkëtuar taksën e infrastrukturës.
 
Në 4 raste, rezulton se objektet ndodhen në një distancë prej buzës së lumit Drin më pak se distanca ligjore e përcaktuar.
 
Në 12 raste rezulton se janë kryer legalizime të objekteve që ndodhen në një distancë prej buzës autostradës prej me pak se 30 metra.
 
Në 53 raste, është ndryshuar zëri kadastral i tokës, ndërkohë që në 31 raste të tjerë nuk dokumentohet periudha e ngritjes së ndërtimeve pa leje.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com