Shtyhet për në 9 shtator seanca paraprake për kalimin ose jo për gjykim të dosjes në ngarkim të kryebashkiakut të Kolonjës Erion Isai dhe 14 zyrtarëve të bashkisë dhe ARRSH-së, të cilët akuzohen për shkelje të barazisë në tenderë dhe shpërdorim detyre. Shkak u bë mosnjoftimi i palëve.
Dosja lidhet me tre procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2020, me një vlerë totale mbi 30 milionë euro, ku sipas SPAK, fondet limit dhe kriteret e tenderëve janë hartuar nga vetë kompania fituese, "A&E Engineering". Hetimet kanë zbuluar se fondi limit për lotin e dytë të rrugës Korçë-Ersekë u fry me mbi 590 milionë lekë (rreth 6 milionë euro), ndërsa kompania u favorizua edhe në procedurën e supervizimit të punimeve.
Përveç këtij tenderi, në dosje përfshihet edhe një procedurë për ndërtimin e një ujësjellësi në Kolonjë, ku SPAK pretendon se dokumentacioni dhe kriteret e garës janë përgatitur sipas kërkesave të kompanisë fituese dhe janë miratuar nga zyrtarët e Bashkisë Kolonjë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









