SHKODER- Strukturat e policisë, arrestojnë në flagrancë shtetasin Dritan Prenga 22 vjeç, banues në fshatin Gojan të Pukës.

Policia bën me dije se arrestimi u bë gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij nga shërbimet e Komisariatit të Pukës, pasi u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri pushkë model 56, 18 copë granata dore, si dhe 6 metër fitil zjarrpërcjellës.

Gjithashtu në banesën e Prengës u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy bombola gazi 20 litërshe të vjedhura në Shkollën 9 Vjeçare të fshatit Shkozë, si dhe disa objekte të tjera . Policia nisi procedim penal në gjendje të lirë edhe për vëllain, M.D 16 vjeç si bashkëpunëtor në vjedhje.

Gjithashtu policia ka ndaluar shtetasin Gjin Ndreu 36 vjeç, pasi ishte shpallur në kërkim me vendim gjykate. Ai dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit Marjan Martini, ngjarje e ndodhur në fshatin Gur i Zi në nëntor të vitit kaluar.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë gjatë një operacioni të organizuar nga shërbimet e Drejtorisë së Policisë të qarkut Shkodër.

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)