/ATSH- I. Vata/- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ka bërë thirrje shqiptarëve nga Shkodra që të ngrihen të gjithë dhe të rrëzojnë trashgimtarët e diktaturës që po sillen si sundues të pabesë ndaj shqiptarve, pasi ata kanë ngritur në sistem ideologjinë vrastare, korrupsionin dhe krimin.
Partia Demokratike, ashtu sic kishte paralajmëruar, ka përkujtuar sot 2 prillin e 1991, kur u vranë Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka dhe Bujar Bishanaku, të shpallur martirë të demokracisë, si dhe ka zhvilluar protestë për varfërinë në vend, krimin korrupsionin dhe pasigurinë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Basha, në fjalën e tij, pasi nderoi martirët e demokracisë u shpreh se "2 Prilli i vrasjes se Arbenit, Bujarit, Besnikut dhe Nazmiut është padyshim dita e pakthyeshme për familjet dhe të afërmit e tyre, për miq, qytetarët e Shkodrës e Shqipërisë. Por, është në të njëjtën kohë dita e një dëshmie të shkruar me gjakun e kulluar të bijëve të Shkodrës. Tirania komuniste në Shqipëri e kishte nisur, vazhduar, mbajtur me dhunë dhe po e mbyll me dhunë nga trashegimtarët sot në pushtet. Trashegimtarët e bllokut Hoxhist nuk lënë mjet pa përdorur  në dhunim të lirive kushtetutuese dhe lirive te qytetarëve. Kjo është një dëshmi që ju flet dhe duhet t'u flase brezave si dëshmi e gjallë. Qytetarët e Shkodrës nuk harrojnë, rinia shqiptare e viteve '90 nuk i harron kurrë krimet e diktaturës. Rinia e sotme e Shkodrës nuk ka si mos ta dijë dhe të mos jetë krenare për historinë e këtij qyteti me emër të madh, shembull i qytetarisë, trimërisë dhe i kurajos civile".
"Shkodra, qyteti bastion i demokracisë, i rezistëncës atikomuniste, embrioni, Joruzalemi, Betlehemi dhe Meka e demokracisë, e di mirë se trajektorja e pushtetit punist në diktaturë dhe e trashegimtarëve të tyre sot në post-diktaturë ka kaluar në tre stacione. Ideologjia vrastare sistem, korrupsioni i ngritur në sistem dhe gjithashtu, krimi i ngritur në sistem. Kjo është trajektorja e izolimit të vendit, të poshterimit të popullit, e varfërimit të vendit. Qëllimi dhe objektivi është i njëjti, po i pari, ai i etërve të tyre në diktaturë", tha Basha.
Në fund të fjalës së tij, Basha u shpreh se "Jemi përballë një diktaturë të re, Shkodra dhe Shqipëria nuk mbajnë më varfëri dhe krim, pasi ata me të njëjtën pabesi nënshkruan marrëveshjen e 1 Prillit (koalicioni) dhe prenë në besë Shqipërine, ndaj kjo qeveri duhet larguar. Në zgjedhjet e 21 qershorit do t'i themi jo sundimi, jo Metës e jo Ramës".