Policia e Shkodrës ka arrestuar Euglen Buraku në Vaun e Dejës, nën dyshimin për një atentat të mundshëm ndaj Preng Gjinit. Sipas burimeve ai është ndaluar në Vaun e Dejës disa ditë më parë.
Nga kontrolli i automjetit, blutë gjetën një sasi lënde plasëse e lidhur me celular. Sipas burimeve Buraku ka deklaruar se ia ka lënë në makinë shoku i tij Eduart Përgjoka, i shpallur në kërkim.
Në banesën e Përgjokës blutë gjetën disa telefona celularë, karta Sim dhe kapsolla detonatore. Në celularin e Euglen Burakut është gjetur fotoja e Preng Gjinit, për të cilin ka deklaruar fillimisht se e kishte kushëri, gjë e cila ka rezultuar më pas e rreme. Po ashtu i është gjetur dhe fotoja e një biznesmeni (ndërtues) për të cilën Buraku ka thënë se nuk e njihte, por ia kishte dërguar Përgjoka.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se Preng Gjini jeton jashtë vendit, por ditët e fundit kishte hyrë në Shqipëri dhe dyshohet se po mbahej në vëzhgim. Policia e Shkodrës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në 2020-ën 56-vjeçari i shpëtoi një atentati të mirëorganizuar mbi urën e Selitës. Në atë kohë makinës së tij i vendosën tritol të një sasie 400 gram C4 në pjesën e përparme të makinës. Shpërthimi ndodhi ndërsa ai ishte duke udhëtuar.
Atentati para 6 vitesh mendohet se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve Gjini dhe Reçi në Rrëshen, por Gjini e ka mohuar këtë fakt. Preng Gjini është vëllai i Armando ose Tonin Gjinit nga qyteti i Rrëshenit, i cili mbeti i vrarë në 12 gusht 2019. Armando Gjini, i kishte shpëtuar më parë dhe një atentati me tritol, pasi fatmirësisht arriti ta pikasë në kohë lëndën eksplozive.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente








