Një varg qepësh me gjatësi 110 metra, sa vetë gjatësia e Urës së Mesit, është vendosur këtë të mërkurë mbi monumentin historik, në një iniciativë të fermerit nga Postriba, Kujtim Plangaj.

Nisma realizon një premtim të dhënë tre vite më parë dhe synon të promovojë një nga traditat më të vjetra të zonës - kultivimin e qepës, një kulturë bujqësore që daton prej rreth 300 vitesh në Postribë.

Vendosja e vargut u bë e mundur falë angazhimit vullnetar të banorëve të zonës, si edhe të të rinjve të Act4Shkodra, të cilët kontribuuan në realizimin e kësaj nisme simbolike.

Vetë Kujtim Plangaj u shpreh i lumtur që arriti të konkretizojë këtë ide, ndërsa falënderoi të gjithë ata që u bënë pjesë e organizimit.

"Ndihem shumë i lumtur. Premtimin e dhënë para tre vite më parë e mbajta. E mora këtë iniciativë se kjo qepë është e jashtëzakonshme, e para në botë për shije, e mora edhe për banorët e kësaj zone që janë shumë punëtorë", tha ai.

Sipas tij, kjo iniciativë jo vetëm promovon traditën e kultivimit të qepës në Postribë, por pritet të zgjojë edhe më shumë interesin e turistëve që vizitojnë Urën e Mesit dhe zonën përreth.

Për realizimin e vargut gjigant, Plangajt iu deshën pesë ditë punë, ndërsa vargu ka një peshë prej rreth 1.2 tonësh, duke u kthyer në një simbol të punës, traditës dhe identitetit bujqësor të Postribës. 

Xh.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Korrik, 10:41

    Sipas jush, protesta te Kuvendi a ka qenë e dhunshme nga ana e protestuesve?