Bëhet fjalë për Muhamed Licin bashkë me 7 persona të tjerë të cilët me anë të kanosjes dhe kërcënimeve u merrnin 1 mijë deri në 3 mijë lekë të reja shitësve në Tregun e Zdrales, tregtarëve të Rrugës së Gjerë të Kirasit në Shkodër, por edhe bizneseve të tjerë.
Shqiptarja.com ka siguruar videon e momentit të arrestimit të Muhamed Licit si dhe foton e tij, i cili ishte drejtues i grupit.
Arrestimi është bërë në një restorant pranë Liqenit të Shkodrës.
Ka qenë RENEA e cila ka ndërhyrë me shpejtësi për arrestimin e Muhamed Licit, ndërkohë që shumë klientë të tjera janë trembur për shkak të befasisë që kishte operacioni. Burime nga Policia bëjnë me dije se arrestimi i grupit është bërë gjatë ditës, në mënyrë që asnjëri të mos kishte mundësi të arratisje.
Por si funksiononte ky grup kriminal?
Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë me dije se gjatë muajve shtator-tetor të 2016-së, anëtarët e grupit u shkonin bizneseve dhe duke i kërcënuar u thoshin se duhet të paguanin një kuotë mujore.
Në muajin tetor Muhamed Lici bashkë me 7 personat e tjerë filluan të mblidhnin lekët nga tregtarët.
Lici bashkë me një person tjetër i dërgonin anëtarët e grupit pranë tregtarëve në ditët e fundit të muajit. Duke mbajtur një bllok në dorë, grupi kriminal shënonte emrin e tregtarit si dhe shumën mujore të lekëve që derdhte secili.
Mbledhja e “taksës mujore” është bërë prej muajit tetor 2016 deri në shkurt të këtij viti. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se kanë qenë me dhjetëra e qindra biznese të cilat paguanin kuotën mujore prej 1-3 mijë lekë të reja. Kush nuk paguante lekët, atëherë kërcënohej.
“Anëtarët e grupit kishin për detyrë që të zbatonin urdhrat e drejtuesve të grupit, si edhe të raportonin mbi lëvizjet e punonjësve të policisë në zonën e influencës së tyre, apo dhe për persona të panjohur, automjete që janë pranë tyre apo deportojnë në zonën ku ata banojnë dhe ushtrojnë “aktivitet”,- thotë Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Drejtuesi i këtij grupi, Muhamed Lici ka qenë i proceduar më parë nga Policia për armëmbajtje pa leje.
Gjithashtu 25-vjeçari dyshohet se është marrë me prostitucion, trafik droge, por edhe si vrasës me pagesë, akuza për të cilat ende nuk ka prova.
Zbulimi i grupit që vendoste gjoba është bërë pas disa denoncimeve në policinë e Shkodrës.
Më pas ka qenë prokuroria e Krimeve të rënda që ka kryer një hetim 4-mujor dhe ka zbuluar skemën se si funksiononin.
8 anëtarët e grupit akuzohen “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie” dhe “Krijimit të Grupit Kriminal”.