Partia e Mendimit të Djathtë Liberal, Mustafa Lici ishte një nga 13 partitë që pritej të firmoste marrëveshjen me Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, për të shkuar bashkë në zgjedhje, por në momentin e fundit partia e tij u hoq për të qenë pjesë e koalicionit "PD-Aleanca për Ndryshimi".

Nuk dihet se çfarë ka ndodhur që Basha ta hiqte Mustafa Licin në moment të fundit para se të dorëzonte në KQZ listën e partive në koalicion. Ndërkohë që një ditë pas formimit të koalicionit "PD-Aleanca për Ndryshimi", Basha zhvilloi një takim me ambasadoren Yuri Kim, e cila i kërkoi atij që të përfshinte në lista kandidatë të pastër.

Kryetari i Partisë Mendimi i Djathtë Liberal, Mustafa Lici, që kur ishte anëtar i këshillit bashkiak të Shkodrës kërcënonte kryebashkiaken Ademi dhe për djalin e tij në kërkim për vrasje refuzoi Operacionin Forca e Ligjit.

Mustafa Lici në maj të vitit të kaluar, sfidoi dhe refuzoi t'i përgjigjej Operacionit Forca e Ligjit, që i dërgoi formularin për justifikimin e pasurisë. Njëri nga djemtë e tij, Muhamed Lici, është dënuar në mars të 2017 me 13 vite burg,  pasi akuzohej se drejtonte një grup që u vendosnin gjoba tregtarëve të Zdrales në Shkodër.

Djali tjetër, Ibrahim Lici, ishte në kërkim për t'u pyetur në lidhje me rrethanat e ngjarjes në atentatin e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, më 30 mars 2019. Mustafa Lici është vëllai i Fatbardh Licit, 53-vjeçari që u vra më 10 gusht 2018, në lagjen Kiras të Shkodrës.

Lici ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Në vitin 2017, ai është përplasur ashpër edhe me kryebashkiaken e PD-së Voltana Ademin, të cilën e kërcënoi me tone kërcënuese gjatë një mbledhje të këshillit bashkiak duke i drejtuar gishtin në fytyrë dhe duke e paralajmëruar që të kishte kujdes.

Kerkesa e PD per te regjistruar koalicionin ne KQZ, ku mungon partia e Mustafa Licit