SHKODËR-Një dyqan i telefonisë celulare në qytetin e Shkodrës është grabitur mbrëmjen e së dielës.
 
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së sotme në rrugën “Qemal Dracini” përballë pallatit të Sahatit.
 
Grabitësi është futur brenda dyqanit dhe pasi ka kërcënuar me pistoletë shitësen A. T 20 vjeçe banuese në lagjen “Manush Alimani” e cila ndodhej në ato momente ishte e vetme, ka marrë disa telefona celularë që kanë qenë në vitrinë.
 
Nga frika se mos kapej nga policia, grabitësi është larguar me shpejtësi në këmbë duke shfrytëzuar rrugicat aty pranë.
 
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë që kanë nisur hetimet për zbardhjen e mëtejshme të rrethanave të krimit.
 
Grupi hetimor përveç provave të marra në vendngjarje ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së vetë biznesit ndërsa ka marrë në pyetje edhe shitësen.
 
Sipas dëshmisë së saj, ka qenë vetëm një person i cili është futur në dyqan ndërsa në kokë mbante kapele. Pasi ka drejtuar armën grabitësi  ka marrë 5 telefona të cilët ndodheshin në vitrinë dhe është larguar me shpejtësi.
 
Pas verifikimit të pamjeve pritet të bëhet edhe identifikimi i autorit që ka kryer grabitjen. Kjo nuk është hera e parë që ky dyqan bie pre e grabitjeve, në korrik të 2016-ës grabitësit thyen derën e dyqanit ndërsa morën disa celularë.

[gallery]21422[/gallery]

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com