SHKODER - Tritoli i vendosur në murin e banesës së një efektivje policie në Durrës, fshihet edhe pas ngjarjes së rëndë mbrëmë (22:40) në qendër të qytetit të Shkodrës, që fatmirësisht u mbyll pa viktima.

Ngjarja e fundit ka çuar policinë edhe drejt autorit të vendosjes së triloit në banesën e polices, Ornela Buraku më 25 janar 2020. Ai dyshohet të jetë Mirsad Meta, 26-vjeçar nga fshati Bërdicë i Shkodrës, tashmë i shpallur në kërkim nga policia. Mbrëmjen e djeshme, ndaj tij u bë një atentat, por që nuk shënoi viktima. Tre persona, mes të cilëve edhe vëllai i efektives së Durrësit, Ension Buraku, qëlluan me armë ndaj tij por plumbat kapën makinën e tij luksoze, një BMW me targa gjermane, dhe aksidentalisht u plagos lehtë në këmbë një kalimtare e rastësishme në pedonalen e Shkodrës "Kolë Idromeno".

1580975071_mbw.jpg

Makina e Mirsad Metës

Në qytetin e Durrësit, sot në orët e para të mëngjesit, policia arrestoi Argjend Rexha, Emirion Buraku, të dy banues në Durrës si dhe Rihad Xheladinin, banues në Shkup, Maqedoni. Ndërkohë në kërkim u shpall Mirsad Meta pronari i makinës, i cili gjithashtu iu kundërpërgjij me armë zjarri autorëve. Të arrestuarit do të përballen me akuzat për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Burime konfidenciale për Shqiptarja.com thanë se edhe tritoli i vendosur në Durrës, nuk ka qenë për efektiven e policisë, por pikërisht për vëllain e saj, Ension Buraku. 

Vendi ku u hodh tritoli ne Durres, ku ishte parkuar makina e efektives

Sipas gazetarit të Report Tv, Ergys Kavaja, të rinjtë e përfshirë në përplasjen me armë mbrëmë në Shkodër, kanë njohje me njëri-tjetrin, pasi dyshohet të kenë qenë disa muaj më parë në Gjermani, ku ka dyshime të forta se mund të jenë përfshirë në trafik të drogës dhe të jenë konfliktuar pas prishjes së pazareve.

Dinamika e ngjarjes, "arene lufte" ne pedonalen e Shkodres

Njëri nga grupet e të rinjve kanë qenë të ulur tek stolat e pedonales 'Kolë Idremeno', dhe sapo janë parë me Mirsad Metën kanë filluar të qëllojnë në drejtim të tij. Edhe ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke e kthyer pedonalen në një arenë lufte. Plumbat kanë kapur edhe makinën luksoze me targa gjermane të  Mirsad Metës, të cilën ky i fundit e ka braktisur duke ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes. 

Por nga breshëria e plumbave që të rinjtë kanë qëlluar nuk është plagosur asnjëri prej tyre, megjithatë një 'plumb qorr' ka kapur një 35-vjeçare e cila po kalonte rastësisht aty së bashku me motrën dhe dy kunetërit e saj. Këta të fundit kanë qenë duke konsumuar një kafe në lokalet e pedonales pasi kishin dalë nga spitali për të marrë disa ilaçe, por rastësisht janë gjendur mes dy 'zjarreve'. Plumbi e ka kapur në këmbë, ndërsa njëri nga kunetërit e saj ka shpëtuar mrekullisht pasi plumbi i ka përshkruar pantallonat, por pa e kapur në trup.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur të paktën 10 gëzhoja plumbash çka tregon se përplasja me armë mes të rinjve ka qenë e ashpër. Nga bizneset janë sekuestruar kamerat e sigurisë ku pas kqyrjes pritet të ketë detaje të reja rreth kësaj ngjarje të rëndë. Në polici janë marrë dëshmitë edhe të personave që ishin në zonë kur ndodhi përplasja e armatosur.