Këtë e zyrtarizoi me gojën e tij, Ditmir Bushati koordinatori i dërguar nga qendra për zgjedhjet e PS në Shkodër dhe Kukës. 200 të pranishmit në kinema “Millennium” dëgjuan kur Bushati u shpreh se: “Të shohim raportet në koalicion, sa është respektuar marrëveshja dhe sesi ka funksionuar. Nuk jemi këtu për të qarë hallet e një koalicioni tjetër”.
Nëse dikujt nuk i mjafton kjo, deputeti socialist Paulin Sterkaj jo vetëm se përforcoi por e lëshoi edhe më troç mesazhin e tij: “Të korrigjojmë administratën që si të depolitizuar çuan votat në partitë e tjera. Administrata në Shkodër është bërë me njohje e jo me kontribute”.
Për të mos mjaftuar edhe anëtarësia e PS akuzuan drejtpërdrejtë në mbledhjen e pak ditëve më parë forcën e madhe që LSI ka në Shkodër, Vau Dejës apo edhe në Pukë. Këtyre akuzave qoftë Ditmir Bushati por edhe deputetët Paulin Sterkaj, Namik Kopliku e Mimoza Hafizi iu përgjigjën vetëm me heshtje. Mbase përmes kësaj heshtje japin konfirmimin për akuzat.
Pas mbledhjes deputeti Paulin Sterkaj në vend që të flasë për marrëdhëniet e PS me LSI, na tregoi marrëdhëniet që ai personalisht ka me LSI apo deputetin e kësaj force politike në Shkodër, Agron Çela, duke anashkaluar vetë PS-në.
Çfarë mund të thotë dikush për votimin për anëtarët e Këshillit të Qarkut Shkodër kur qartazi dhe në sytë e të gjithëve PS dëmtoi LSI duke votuar kandidaturat e djathta dhe jo kandidaturat e LSI që pretendonin minimumi një anëtar në qark, gjë e cila nuk u realizua.
Nëse nuk mjafton si mund të përkthehen ndryshe votat e socialistëve për kryetarin e Këshillit të Qarkut Shkodër pak ditë më parë. Në vend që të shkonin për kandidaturën e LSI, Salvator Gjoka, PS i dha 4 vota Greta Bardelit të PD duke lënë me vetëm 5 vota kandidatin e LSI. Në total Bardeli mori 16 vota, 12 të PD dhe 4 të PS. Të gjitha këto vërtetojnë tashmë përçarjen dhe luftën e brendshme mes PS dhe LSI që në fakt socialistët po e shfaqin kudo, 3 herë radhazi vetëm në Shkodër.
Shtatori duket se nisi vrullshëm dhe së bashku me të politika mund të ofrojë rezultate nga më të çuditshmet. Si nën zë, në Shkodër flitej prej kohësh për një koalicion të PD-së me një tjetër subjekt politik, por askush nuk e besonte. Sidomos pas atij rezultati, të zgjedhjeve të 21 Qershorit, ku jo vetëm fitoi Voltana Ademi në garën për zgjedhjet për pushtetin vendor, por PD, fitoi e vetme përballë dy forcave të tjera politike, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për integrim, në garën për këshillin bashkiak.
Megjithatë, faktet janë kokëfortë, dhe gjithçka, duket sikur po shfaqet edhe në sipërfaqe. Të gjithë janë të prirur të hedhin dyshime, sepse janë faktet, që e vërtetojnë një tezë të tillë. Pyetja që shtrohet është se kujt po i shërben ky koalicion i fshehtë mes PS dhe PD në Shkodër, apo bëhet thjeshtë për të shembur LSI-në e cila ka marrë jo pak pushtet qoftë para 2013-ës por edhe këto dy vite në Shkodër. 2017-ta nuk është larg për ta parë se ku do të rreshtohet LSI dhe se sa do zgjasë romanca mes PS e PD në Shkodër.
Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)