Që prej mbrëmjes së djeshme, në oborrin e Katedrales së Shkodrës, "Shën Shtjefni", ka zënë vend shtatorja që i kushtohet martirizimit të popullit shqiptar. Krahas drejtuesve të kishes katolike Shkodër, autoriteteve vendore etj, e paranishme në ceremoninë e përurimit ishte edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. "Unë sapo vij nga Tirana, ku një ditë më parë ne kemi inauguruar një moment tjetër të rëndësishëm në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në atë bulevard që mban emra dëshmorësh dhe dëshmorët nuk janë vetem ata që kanë rënë me armë në dorë, por janë dëshmorë edhe ata që janë rënë para armëve".

"Dhe të tillë janë 40 martirët e kishes katolike, qe janë në proces kanonizimi dhe mes të cilëve nuk ka vetem priftërinj katolikë, por ka edhe civile, ka edhe një prifterinj ortodokse, të cilëve ju njihet pikërisht ajo sakrificë e jashtëzakonshme, jo vetem sepse predikuan besimin, por edhe sepse refuzuan ta mohonin besimin e tyre", tha ajo. "Besoj se kjo është një provë shumë e rëndësishme, se si ne i përgjigjemi vizitës së Atit të Shenjtë, i cili ka shpallur dy motive për të ardhur në Shqipëri në përgjigje të drejtpërdrejtë që i bëri kryeministri, Edi Rama. E para është, po shkoj në Shqipërinë e shembullit të bashkëjeteses së komuniteteve fetare, siç është edhe Shkodra, dhe prania e autoriteteve fetare këtu sot e dëshmon një gjë të tillë. Dhe arsyeja e dytë është në kujtim të atyre të martirëve të këtij populli, i cili ka vuajtur historikisht. Dhe një nga vuajtjet e mëdha ka qënë pikërisht ajo periudhë kur i mohuan lirinë e zgjedhjes, lirinë e besimit".

Duke falenderuar autorin e kësaj vepre Agim Rada, drejtuesi i kishes katolike të Shkodrës, Arqipezhgvi Metropolitan I Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra, njëkohësisht edhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, shprehu kënaqësinë që me praninë e kësaj shtatoreje në mjediset e katedrales së Shkodrës, brezat e ardhshëm do të kenë mundësinë të njihen edhe më tepër me vuajtjet që ka kaluar kleri katolik gjatë periudhës së mëparshme, por që siç e shpreh edhe vetë vepra në fjalë, e cila është e vendosur me sytë e drejtuar nga qielli, tregon më së miri pamposhtmërinë e këtyre martirëve përballë atij regjimi. 

Shtatorja e cila simbolizon vuajtjet e klerikëve nga regjimi i komunizmit është vepër e skulptorit të njohur, Agim Rada, ndërkohë që për realizimin e saj, financiarisht kontribuoi binsnesmeni i njohur, Gjergj Luca, që sipas tij, realizoi një amanet të babait të tij, aktorit të mirënjohur, Ndrekë Luca, që sot nuk jeton. "Ndjej që kam kryer një amanet të babës tim që ka dale nga oborr, që është formuar në këtë kishë dhe nëpërmjet atij amaneti, duket sikur është përmbushur për të gjithë ne një amanet i të gjithë prindërve tanë", u shpreh për mediat Luca. /ATSH/