Shkodër - 44 kuti me lëndë piroteknike u sekuestruan gjatë kontrollit të policisë në një dyqan në Shkodër, ndërsa pronarja po hetohet në gjendje të lirë.
Kapsollat dhe fishekzjarrët janë të ndaluara për tregtim, ndërsa në prag të festive të fundvitit, policia ka nisur një aksion për të goditur subjektet e paautorizuar
“Si rezultat i kontrolleve intensive që po kryhen nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të planit të masave për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, nga subjekte të paautorizuara, në prag të festave të fundvitit, është goditur një rast i shitjes së këtyre lëndëve, në një dyqan në lagjen “Tre Heronjtë”.
Gjatë kontrollit në dyqanin e shtetases S. P. u gjetën 44 kuti me lëndë piroteknike (kapsolla), të ndaluara për tregtim, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen S. P.
Kontrollet për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë në të gjithë qarkun”, njoftoi sot Policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme
Komente








