Shkodër- Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një të moshuari ka ndodhur paraditen e sotme (28 Janar) në Shkodër.
Një 84-vjeçar ka humbur jetën, teksa drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin ndodhet në Komisariat i shoqëruar dhe po i nënshtrohet hetimeve të mëtejshme.
Viktima është identifikuar si Berhan Triepshi, kurse shoferi i dyshuar është Klevis Duka.
Burime zyrtare bënë me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 10:15, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, kur 28-vjeçari, duke drejtuar automjetin "Audi", dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin dhe për pasojë është përplasur me motomjetin me drejtues Triepshin, rreth 84 vjeç.
“Shtetasi B. T. ka humbur jetën në spital. Me drejtuesin e automjetit po kryhen veprimet procedurale”, bëri me dije policia vendore.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit. Në pamjet që gazetari i Report TV, Ergys Kavaja ka realizuar, duken qartë pasojat e aksidentit të rëndë dhe Policia Rrugore në vendngjarje për të kryer hetimet e rastit.