Situata në qarkun Shkodër paraqitet kryesisht e qëndrueshme dhe nën kontroll.

Në Shkodër, reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh dhe deri në këto momente nuk raportohen situata emergjente. Ka prani të ujit në disa zona tokë bujqësore dhe në oborre. Grupet e punës vijojnë monitorimin dhe punën në terren në zonat me risk më të lartë. Në rrugën kryesore të Obotit evidentohet prani e ujit rreth 30-40 cm, çka lejon qarkullimin vetëm për mjete të larta, si dhe në disa oborre banesash e sipërfaqe toke bujqësore.

Në Vaun e Dejës, gjatë mbrëmjes së kaluar janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar. Përroi i Glinës po shfaq tendencë rënieje të nivelit të ujit. Përroi i Gjadrit ka shënuar rënie dhe situata vijon të monitorohet nga strukturat e Emergjencave Civile. Në Bushat, në fshatrat Mal i Jushit dhe Hoten, janë raportuar se rreth 15 familje janë të bllokuara nga uji.

Në Malësinë e Madhe, gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët, pa problematika të raportuara. Situata paraqitet e qetë dhe nën monitorim të vazhdueshëm.

Në fshatin Kamicë, Përroi i Thatë është tërhequr nga rruga.

Në Fushë-Arrëz, vijojnë reshje shiu me intensitet të ulët, ndërsa si pasojë e reshjeve të shumta të ditëve të mëparshme janë evidentuar shkarje dherash, rënie gurësh dhe prezencë uji në disa akse auto-rurale. Rrugët mbeten të hapura për qarkullim dhe po punohet për pastrimin dhe rikthimin e situatës në normalitet.

Pukë, aktualisht vijojnë reshjet intensive të shiut të shoqëruara me erë të fortë , pa problematika apo emergjenca civile të raportuara deri në këto momente, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, niveli i ujit në Urën e Bunës është 1.80 m, niveli i Liqenit të Shkodrës ndodhet në kuotën 7.7 m dhe niveli në Dajç në kuotën 6.2 m.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat e Emergjencave Civile për çdo situatë të mundshme.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Vjosa del nga shtrati në Mifol, niveli arrin në 9 m! Aksi Qukës-Qafë Plloçë bllokohet plotësisht nga rrëshqitja e dherave! Përmbytje në Pogradec e Obot