Shkodrani i arrestuar për drogë
në takimin e Policisë antikanabis
Ekskluzive/Report Tv zbulon kush është personi

SHKODER- Takimi në Shkodër i kreut të Policisë së Shtetit Haki Çako me përfaqësues vendor të Qarkut ka marrë vëmendje.

Jo aq për shkak të debatit mes Çakos e kryebashkiakes së Shkodrës Voltana Ademi, por edhe për praninë e një personi jo të zakontë në këtë mbledhje.

Në takimin më i fundit që është zhvilluar në Qarkun e Shkodrës merrnin pjesë veç Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako edhe Prefekti Paulin Radovani e kryebashkiakja Voltana Ademi.

Veç debateve mes drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të Bashkisë së Shkodrës, drejtuar nga Voltana Ademi për ashpërsimin e masave ndaj atyre që nuk denoncojnë kultivimin e kanabisit, ra në sy se pjesë e takimit ishte edhe një prej administratorëve të caktuar nga kryebashkiakja Ademi në njësinë Pult, i cili pak kohë më parë u arrestua dhe aktualisht hetohet për kultivim kanabisi.

Report Tv zbulon se personi që shihni në këto pamje është Tom Marku, administrator në njësinë Pult.

Marku u arrestua në gusht të vitit 2016 pasi në banesën e familjarëve të tij, u gjet e kultivuar një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, por vetë administratori i caktuar nga Bashkia e Shkodrës, mohoi të kishte lidhje me drogën.

Gjykata e Shkallës së parë dha ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg ndërsa në muajin shtator Gjykata e Apelit, e la të lirë kundrejt një garancie pasurore, ndërsa hetimet vijojnë në Prokurorinë e Shkodrës për akuzën e kultivimit të bimëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

Ende nuk është e provuar nëse Tom Marku është fajtor ose jo, pasi kjo i takon gjykatës por është ironike që në një takim konsultues për parandalimin e kultivimit drogës merr pjesë edhe një person nën hetim për këtë fenomen.
tom marku
(Tom Marku ne takimin qe Cako organizoi ne Shkoder)

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako ishte i ashpër gjatë fjalës së tij me punonjësit e policisë, duke pohuar se çdo efektiv që nuk denoncon rastet apo nëse familjarë të tyre janë të përfshirë atëherë rrezikojnë menjëherë burgun.
 
Cdo pëllëmbë toke, cdo centimetër do ketë përgjegjësin e vet. Cdo punonjës policie do marrë përsipër integritetin e vet në luftën kundër narkotikëve”, tha Çako.

tom marku
(Tom Marku kur ndodhej ne gjykim)

Por nga ana tjetër drejtuesit e Bashkisë Shkodër dhe njësive administrative ne mbledhjen qe vijoi me pas me dyer te mbyllura kanë kundërshtuar me argumentin se nuk kanë mjetet e nevojshme për të kryer kontrollet dhe zbulimet.

Mësohet gjithashtu se është ngritur pretendimi se Policia nuk ka kapacitete për të monitoruar zonat e thella, si dhe mungojnë burimet njerëzore.

Ky takim i Policisë së Shtetit ishte pjesë e takimeve konsultuese me pushtetin vendor dhe institucionet e përfshira në zbatimin e planit kombëtar antikanabis që kanë nisur në mbarë vendin.

Tom Marku ka ndjekur me interes dhe deri në fund të gjitha diskutimet se si mund të luftohet kanabisi në zonën e Shkodrës, por nuk ka dhënë një mendim se si ky operacion mund të jetë sa më efikas.
 
Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen