TIRANE- Fituesit e Shkollës së Policisë, tashmë mund të shohin renditjen përfundimtare në listën e fituesve. Policia e Shtetit ka publikuar listën me emrat e 1000 fituesve, 500 femra dhe 500 meshkuj. Këta studentë do të ndjekin studimet të ndarë në dy grupe prej 500 kandidatësh, 250 femra dhe 250 meshkuj. Ndërkaq, në listat e publikuara nga Policia e Shtetit janë emrat e të gjithë kandidatëve për të vijuar studimet në Shkollën Bazë të Policisë, dhe pikët përkatëse të fituara nga gjithsecili.
 
Në vijim të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për Shkollën Bazë të Policisë “Për Patrullë të Përgjithshme” nga data 21 Maj deri me datë 03 Qershor pranë Qendrës së Formimit Policor u zhvillua Intervista me gojë e aplikantëve, në të cilën morën pjesë 2287 aplikantë, prej tyre:
 
-     22 aplikantë janë fëmijë të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, të cilët në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.156, datë 19.03.2014 ju nënshtruan fazës së intervistës me gojë dhe do të vazhdojnë procedurat e tjera të testimit e më tej në bazë të rezultateve do të bëhen pjesë e grupit të parë në Shkollën Bazë të Policisë.
 
-     2265 aplikantë pas përfundimit të fazave të mëparshme ju nënshtruan procesit të intervistës me gojë.
 
Në këtë proces morën pjesë 1774 meshkuj dhe 513 femra.
 
“Për përzgjedhjen e kursantëve që do të ndjekin Shkollën Bazë të Policisë, sipas procedurave të përcaktuara, do të kryhet procesi i kontrollit mjekësor të kandidatëve pranë Sektorit të Profilaksisë dhe Mjekimit të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në Qendrën e Formimit Policor. Po ashtu kandidatët do t’i nënshtrohen procesit të marrjes së gjurmëve të gishtave, si dhe procesit të verifikimit të të dhënave të kandidatit.
 
Nëse gjatë kontrollit mjekësor do të ketë skualifikim të kandidatëve, atëherë do të procedohet me kandidatët e radhës në rend zbritës sipas listës së renditjes të kandidatëve.
 
Për aplikantët që do të vijojnë studimet në Grupin e Parë prej 500 kandidatësh, vlerësimi i aftësive shëndetësore do të fillojë nga data 09.06.2014, në orën 07.30’-19:00, në Qendrën e Formimit Policor, Sauk, Tiranë, deri në plotësimin e kuotës. Po ashtu do të kryhet dhe procesi i marrjes së gjurmëve të gishtave. Për datën dhe orën e zhvillimit të kontrollit mjekësor kandidatët do të njoftohen nga strukturat e burimeve njerëzore pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe”, thuhet në njoftimin e Policisë.
 

Shkolla e Policise, renditja perfundimtare e kandidateve (femrat)