/ATSH/-Shkolla "Lidhja e Prizrenit" në Tiranë, një shkollë me tradita dhe nga më të vjetrat në qytetin e Tiranës, e krijuar rreth viteve '40 të shekullit të kaluar,  në këtë 7 Mars veç aktiviteteve të shumta që organizoi, ishte dhe përurimi i historikut të shkollës. Në realizimin e historikut punuan me shumë përkushtim jo vetëm mësuesit drejtuar me zell nga zëvëndësdrejtoresha Klodi  Bezhani por dhe familjet e ish mësuesve, drejtuesve, ish nxënësve të saj ndër breza.
"U nis si një nevojë dhe dëshirë për tëkrijuar një historik në kuadër të rinovimit te anës figurative të shkollës, por që menduam që kishte nevojë të realizohej një stëndë e historikut të shkollës traditë ku kanë punuar kolosë të arsimit shqiptar si,  Mësuesi i Merituar Jorgji Pano, Ahmet Gashi, Mihal Peshkazini, Kole  Xhumari ,Vlash  Dhora, Krisanthi Dilo, Dylbere Maxhalaku, Ollga Elini, Dhimitër Shundi, Meliha Petrela, Fatime Vokopola", i tha ATSH-së Klodi Bezhani.
"Dhe pse bashkëpunimi i kolegëve dhe drejtorit të shkollës nuk mungoi, ishte e vështirë të gjeje të dhëna, pasi vetë shkolla nuk dispononte asgje", thotë ajo duke shtuar se, arkiva e shtetit dispononte material modest ku pasqyrohej pamja e godinës së shkollës siç ka qënë dikur dhe disa  të dhena rreth emrave te stafit të parë të saj.
Falë këmbënguljes së saj dhe të piktorit Adnand Deda u arrit krijimi i historikut të shkollës me vlera të mëdha në Tiranë. Klodi thotë se falë mbiemrave të ish-mësuesve dhe ish-drejtuesve ajo njohu familjarë, niper e mbesa qe jetojnë brenda dhe jashte Shqipërisë që u treguan  të gatshëm për të ndihmuar".
Për Klodin, ishte emocionuese t'i takoje e të degjoje historitë e tyre. Shumë prej mësuesve që njohu kishin krijuar  laboratorë kimie a biologjie,(Ballkize Uruci) kishin aplikuar për herë të pare tabelat ilustruese të krijuara vetë (Dylbere Maxhelaku dhe Ollga Elini), kishin hartuar dhe zbatuar tekste shkollore duke ndjekur vetë  ecurine e tyre teksa aplikoheshin tek nxenësit (Kole Xhumari).
"Ishte nje mrekulli te kishe në duar "histori" heronjsh, pasi pasioni, përkushtimi dhe puna e tyre sot është për t'u ngritur ne piedestal" vijon ajo.
Inaugurimi i historikut të shkollës u organizua të premten në hollin e katit te parë, ku u vendos stenda-histori,  në prani të familjarëvë, një pjese e ish mësuesve, drejtuesve te mëvonshem të shkollës, ish nxenes që sot janë njerëz të njohur si këngëtari Luan Zhegu, basketbollistet , emra te spikatur të ekipit të Partizanit si, Njazi Lleshi, Astrit Greva, apo edhe mesuesja veterane Ballkize Uruçi.
Ishte emocion të shihje atë grua te forte dhe pse vitet e shumta i rendonin mbi supe të ringjiste shkallët  pas kaq vitesh. Mësuesja model e biologji-kimisë që bëri laboratorin e parë të kesaj lende me dashuri dhe perkushtim.
Për Klodi Bezhanin, ky ishte vetëm  prologu. Ajo thotë se, historiku sapo ka hedhur hapin e parë dhe pret të pasurohet me të tjerë emra, të tjera të dhëna për këtë shkollë ndër më të vjetrat e qytetit të Tiranes ( 1940-1941). Sepse si thotë ajo, "ata që punuan  meritojnë te njihen jo  vetëm si emra të shkruar në arkiva, por të jenë  mes nesh".