Shkrimtarja Adelina Mamaqi: Fëmijëve u serviren botime çedukuese dhe tekste makabër! (VIDEO)

Me librat për fëmijë të Adelina Mamaqit ne u rritëm. Ishin libra që i pëlqyem aq shumë dhe nuk i harruam kurrë. Madje, vite më vonë nisën t’i kërkojmë për t’ua lexuar edhe fëmijëve tanë. Letërsia e vërtetë dhe e mirë nuk del kurrë nga moda... I rrëfej shkrimtares së njohur një tekst të shkruar për fëmijë, shkëputur nga vëllimi me tregime i një shkrimtari që ka fituar çmim nga Ministria e Kulturës. Ka shumë shembuj të tillë, por edhe një si ky do të mjaftonte për të vënë alarmin... Tregimi bën fjalë për një maçok që hëngri një zog, dhe fëmijët e ekzekutuan.

“-Makabër!”, tha shkrimtarja Adelina Mamaqi, kur ia tregova, “-Makabër!”

Teksti tjetër është edhe më flagrant, tregimi si brenda kontekstit dhe jashtë tij bënë fjalë për një miushe, që as më pak, as më shumë nënkuptohet që “tund” bishtin duke veshur një fjongo falë së cilës josh miushin dhe e bën të dashur, e madje martohet. Ja çfarë shkruhet ndër të tjera në librin “Fjongoja e kuqe” nga botimet Tafaj.

“Miushka shkoi në dyqan dhe bleu një fjongo të bukur. U mendua gjatë dhe mendoi ta lidhte fjongon në bishtin e saj. Nga dyqani në shtëpi e ndjeu se rrugës po e shihnin andej-këtej.... E kënaqur, Miushka u ul në shkallët e shtëpisë. Përtej gardhit ishte shfaqur Miushi dhe Miushka nuk po u besonte syve. Në Mbretërinë e Minjve, miushkat e kishin ëndërr të qëndronin pranë tij. Miushi u ul pranë Miushkës me fjongo në bisht dhe bashkë çuçuritën gjatë...

Dhe u martuan…!”

E pyes shkrimtaren e njohur Adelina Mamaqin se “Çfarë edukon ky tregim në të vërtetë?”

Dhe ajo përgjigjet duke i vënë pikën: “Çedukon, nuk edukon. Vetëm çedukon!...”

Në këtë intervistë shkrimtarja e njohur iu bën thirrje që institucioneve dhe Ministrisë së Arsimit e të Kulturës që të ushtrojnë kontroll mbi tekstet e letërsisë për fëmijë.

Shkrimtarja e njohur për fëmijë Adelina Mamaqi prej më shumë se 30 vjetësh boton tregime, fabula dhe përralla për fëmijë, disa prej tyre janë “Bubi i Vogël”, “Orizi i Milingonave”, “Goni trazovaçi”, “Mësoi Adi shkronjën A”, e të tjera. “Adelina Mamaqi ka një rekord historik. Me vëllimin poetik "Ëndrra vashërie" ajo është e para femër në historinë e letërsisë shqipe që ka botuar libër me poezi. Ky libër bashkë poezi të botuara në shtyp të J. Bllacit me librin "Lirikat e majit" të Koçi Petritit i kritikuan ashpër se trajtonin temën "e vogël" intime”, shkruan poeti dhe shkrimtari Sadik Bejko, kur kujton hapat e parë të shkrimtares së talentuar për fëmijë.

Intervista

Zonja Adelina Ne ju kujtojmë me librat tuaj për fëmijë, që kur kemi qenë vetë të vegjël, dhe pastaj këto libra ua lexuam fëmijëve tanë. Si nisët jut ë udhëtoni në zhanrin e letërsisë për fëmijë?

            -Unë kam nisur me letërsinë për të rritur. Falë mësuesve, se mësuesi ka të bëjë shumë, unë kam pasur mësues Skënder Luarasin dhe Nonda Bulkën. Dhe Nonda ishte ai që më thoshte gjithmonë: “Shkruaj, vazhdo hartimet, se ti do të bëhesh shkrimtare”. Dhe kur shkova në revistën “Nëntori” për të çuar për botim (e kam thënë dhe herë të tjera dhe nuk dua të përtëritem), ka qenë redaktor i poezisë Kolë Jakova, isha 16 vjeçe. I çova një tufë me poezi. Ai më tha: “Dëgjo, e di ç’ke ti? Shko në shtëpi dhe mëso të gatuash e të qëndisësh se ti nuk je për këtë punë”. I mora ato, dola atje në oborr dhe ia plasa të qarit. Ecja rrugës dhe qaja e qaja. I thashë atij se “profesor Nonda më thotë që ti do të bëhesh shkrimtare dhe unë do të bëhem”. Dhe këto poezi unë i botova në librin tim të parë “Ëndrra vashërie” për të rritur. Ka qenë redaktor Llazar Siliqi, më fal se s’dua të flas për veten, por konsiderohet libri i parë i një poeteshe shqiptare në historikun e letërsisë. I botova dhe pas disa vitesh, kur bëhej ajo dita e letërsisë, që takoheshin shkrimtarët me lexuesit, më qëlloi që të jem me Kolë Jakovën bashkë. Kishim shkuar në Kombinat. Nuk e di se kush ishte tjetër. Unë recitova pikërisht këto poezi sepse ishte Kola. Dhe ai më tha mua: “Sa poezi të bukura që ke!”. Unë qesha dhe i thashë: “Faleminderit! Por stërkëmbëshin e parë ma keni vënë juve”.

Nuk i vë faj sepse ishte mentaliteti që një grua, një femër, një vajzë e re nuk mund të futet në letërsi. Unë hyra. Hyra edhe me poezi dashurie, theva tabutë në atë kohë. Dhe për fat të mirë isha redaktore në shtëpinë botuese, në redaksinë e fëmijëve dhe rashë në kontakt me këtë letërsi. Plus që shkollën e mesme unë e kam bërë për edukatore kopshti dhe e njihja psikologjinë dhe në atë kohë që do të bëhesha nënë, prisja që të bëhesha nënë, isha 24 vjeçe, kam shkruar një libër, “Bubi i vogël”, që është libri im i parë në letërsinë për fëmijë. Dhe pastaj shkrova shumë libra si “Goni trazovaçi”, “Hedhin valle bletët”, “Orizi i milingonave”, “Fishekzjarrët”, “Kur në dimër bie borë”, janë më shumë se 30 libra, plus me këtë kam bërë tani janë bërë më shumë se 60. Dhe kështu hyra dhe ngela, më mbajti, më mbërtheu letërsia për fëmijë sepse dhe i dua shumë të vegjlit. Dhe tani në fund madje, librin tim të fundit ia kam kushtuar mbesës, është 9 vjeçe e gjysmë, bën 10 vjeçe. Ajo ka ca sy jashtëzakonisht të bukur, jeshilë, është shumë e bukur dhe shumë e mirë si fëmijë. Edhe e kam shkruar, ia kam dedikuar, “Eni me syçka si liqeni”. Ky është libri im i fundit që ka dalë në shtyp.

Ju botoni, por zakonisht duhet të jenë njerëz ose prindër shumë të përgatitur që t’i kërkojnë këto libra, nga ata që kanë një vizion për didaktikën, për edukimin e fëmijëve, sepse shumica tërhiqen nga librat me aventura ose ajo që quhet ndryshe “letërsi marketi”...

            -Unë nuk dua t’i bëj reklamë vetes, por p.sh., një nga librat e fundit, “Përrallëzat e Abetares”, ai botuesi e boton çdo vit dhe me shumë kopje. Nuk e them sepse jam unë. Ka edhe shkrimtarë të tjerë shumë të mirë, p.sh. Xhahiti, Bushati, ka poezi shumë të bukur. Më vjen mirë, se janë pak këta, që, ka edhe nga këta që, si të thuash, nxënësit tanë, p.sh., ka qenë Fran Ukcama, edhe ai shkruan, në Fier. Më erdhi mirë që në letërsi, po vazhdon letërsia për fëmijë, p.sh. është Rovena Rozhani që po boton me sukses. Lëvrohet letërsia për fëmijë, lëvrohet me sukses.

Kemi vënë re disa detaje në shkrimet për fëmijë: detaji i parë është një autor që ka marrë çmim nga Ministria e Kulturës dhe në një ndër tekstet e tij shkruan se maçoku hëngri zogun dhe fëmijët e ekzekutuan. Si ta quaje këtë detaj treguar fëmijëve?

            -Makabër. Një fjalë, makabër, nuk mund ta quaj ndryshe. E keqja është që, duke qenë, sepse botojnë shumë nga autorët, botojnë me paratë e tyre. edhe botuesi thotë: “Unë marr paratë, nuk më intereson se çfarë shkruan” dhe këta që botojnë nuk njohin letërsinë, nuk janë shkrimtarë, nuk njohin psikologjinë e fëmijës, dhe normal që u pëlqen të shkruajnë dhe të shkruajnë gjëra të tilla ç’edukative.

Çfarë kujdesi duhet të ketë për gjuhën e fëmijëve, shprehjet, fjalët, sintaksën, për të gjitha prurjet që duhet të vijnë si letërsi për fëmijë?

         -Mos të flasim për këtë temë. Në një abetare gjeta gabime. Një abetare pashë rastësisht dhe gjeta gabime. Pse? Nuk kemi, e para njëherë, edhe në kursin e gazetarisë në fakultetin që është, duhet të hyjë gjuha shqipe, gramatika. P.sh., unë dëgjoj, dëgjoj edhe politikanë: “Ai i tha atyre”. Kujt i tha? I tha asaj? Jo. U tha atyre. D.m.th. janë këto gjëra, por këto përbëjnë gjuhën. Kjo është gjuha.

Absolutisht që ju do të jeni shumë e vëmendshme ndaj gabimeve, sepse ju jeni e dedikuar si një shkrimtare për fëmijë. Jeni një emër në letërsinë për fëmijë, krahas edhe kolegëve të tjerë. Në kohën tuaj ka pasur disa autorë që i dedikoheshin letërsisë për fëmijë. Mund të na flisni për veccoritë e disa prej kolegëve tuaj?

            -Kemi pasur shkrimtarë që u janë dedikuar. Po filloj me Spiro Çomorën, që ka qenë ndër të parët. Thashë për Guranjakun, por ai shkroi pak se vdiq shumë i ri. Por Odise Grillo p.sh., ai shkroi 100 libra. Dhe ishte nga ata shkrimtarë që vdes, por mbetet. Bedri Dedja ka qenë, ka shkruar, pavarësisht që ai ishte një idhull, ishte babai i letërsisë për fëmijë, që unë nuk e kam këtë. Unë i them gjërat ashtu siç i mendoj. Por ai ka bërë, ka shkruar d.m.th. Ka pasur që i janë kushtuar letërsisë për fëmijë. Nuk dua të harroj asnjë, p.sh., Xhevat Beqaraj, kryesisht për fëmijë. Xhevati është poet brilant. Fëmija e do muzikën dhe këto i ka Xhevati, ka figurën, ka rimën, ka ritmin, ka psikologjinë e fëmijëve.

Po Tasim Gjokutaj?

            -Ah, më fal, e harrova Tasimin. Edhe ai nuk jeton më. Ka qenë poet shumë i mirë dhe po të kishte jetuar, jam e sigurt që do të bënte vepra akoma më të mira. Ka pasur një plejadë shkrimtarësh të dedikuar letërsisë për fëmijë. Ata e krijuan themelin e kësaj letërsie dhe më vjen keq përse e mohojnë. Shkrimtarët për fëmijë janë pak të vlerësuar, në të gjitha drejtimet. Ata krijuan themelet dhe është mëkat, se nuk dua të them një fjalë tjetër, që mohohen vlerat e letërsisë për fëmijë. Në panair vjet apo parvjet, se ç’më thanë, që kishte fituar një vajzë me ca gjëra që nuk kishin të bënin fare me letërsinë për fëmijë. E di kush është e bukura? Jam e bindur edhe për Gaqon, që i kanë dhënë poeti më i mirë, ia kanë dhënë shtëpisë botuese që ka paraqitur, se kështu bëhen punët, për fat të keq. Kurse në atë kohë kishte një gjë, që arti dhe artisti, letërsia dhe shkrimtari vlerësoheshin. Pavarësisht gjithë të këqijave që mund të kishte ajo kohë, por kjo e mirë ishte. Vlerësoheshin.

Në çfarë procesi kalonte letërsia për fëmijë para botimit dhe publikimit?

            -Letërsia për fëmijë kalonte në dy recensentë, në shtëpinë botuese. Unë kam punuar në shtëpinë botuese si redaktore, pastaj kam qenë recensente e jashtme, pastaj pas recensave e merrte redaktori, pastaj e lexonte kryeredaktori dhe kalonte për shtyp, korrektori, pastaj kalonte për shtyp. Kemi pasur korrektorë të mirë.

Sa viheshin re elementët psikologjik, didaktikë, që të funksiononin kur shkruhej letërsi për fëmijë?

            -Ato nuk ishin si një kërkesë më vete, ato ishin ingredienti i një brumi, kupton, bëhej ai brumë me këto ingredientë dhe i dilte i mirë pikërisht se i kishte, i përmbante vetë. Unë kam shkruar tani p.sh. këtë “Përrallëzat e shkronjave” është një libër që lexohet pas Abetares dhe ka 36 përrallëza, dedikuar për çdo shkronjë. Çdo shkronjë tregon përrallëzën e saj. Por kjo ka edhe elementin didaktik brenda, ka edhe elementin letrar sepse janë letërsi ato. Tani unë i kam dhënë “Albasit” një libër dhe unë për vete e quaj si një gjetje. Nuk e di sa vlera ka libri, unë them sa kam gjetur unë, që unë për çdo shkronjë kam bërë një poezi dhe këtu përputhet edhe letërsia edhe ana didaktike edhe psikologjike, sigurisht, janë të lidhura.

Për sa u përket përkthimeve. Çfarë letërsie e përkthyer mirë apo keq ka ardhur në gjuhën shqipe, që iu drejtohet apo iu dedikohet fëmijëve?

            -Po ju tregoj në radhë të parë...Ishte letërsi e huaj kjo, shoh një libër me ilustrime të shkëlqyera, 1.000 lekë (të vjetra). Shoh atje “Theu gastaren”. Ti e di ç’domethënë gastare?

Jo. Sepse nuk kam as kontekstin.....!

            -Ai theu gastaren. Sepse unë kam lindur e jam rritur në Tiranë dhe unë e di që gastare tiranasit i thonë qelqit. E mora dhe i thashë asaj shitëses: “Të lutem, ç’domethënë gastare?”. Ishte një vajzë e re. “Nuk e di”, - më tha. Por nuk është kjo fjalë, unë kapa një. Unë atje kam gjetur me mijëra gabime. Nuk ka redaktorë të mirë, nuk ka korrektorë të mirë.

Sintaksa, ka probleme për shembull në letërësinë e fëmijëve?

            Sa të duash. Gabime ka me thes. Dëgjoj mësuese që flasin me gabime. Unë ndoshta nuk do të isha bërë shkrimtare po të mos kisha pasur Nonda Bulkën dhe Skënder Luarasin. Flasin me dialekt. Por ti je mësues. Më flet me dialektin tënd? Çfarë i mësoj atij fëmije?

Çfarë do t’ju këshilloje prindërve, për t’u dhënë fëmijëve për të lexuar?

            -Jo, nuk do t’i këshilloja prindërve, do t’i këshilloja Ministrisë së Kulturës. Që atje fillon. D.m.th. propaganda që bëhet dhe jo vetëm propaganda, por sa ndihmë i jepet letërsisë për fëmijë? Sa vlerësim i jepet letërsisë për fëmijë? Në kohën e atëhershme bëheshin takime. Unë kam bërë me dhjetëra e dhjetëra takime me lexuesit nëpër shkolla. Të njihte ai, të bënte pyetje. Sa pyetje interesante që bëjnë fëmijët! Ku i ke këto organizime tani? Vlerësimi i asaj Ministrisë së Kulturës. P.sh. unë lexoj atje letërsi për fëmijë dhe më vjen keq. Ta them sinqerisht, më vjen keq, se ne kemi shkrime, krijime shumë më të bukura dhe domethënëse. Lexoj libra d.m.th. kot, me aventura, me gjëra, pa kuptim. Kurse këtu ke libra që edhe edukojnë. Pse kjo Ministri e Kulturës nuk bën një herë, që të marrë iniciativë që të përkthejë libra shqip dhe t’i çojë, nga letërsia shqipe. Pse nuk e bën këtë? Pse nuk bën kjo atë propagandimin e letërsisë për fëmijë? Pse nuk bën vlerësimin e shkrimtarëve për fëmijë? Pse nuk hyjnë shkrimtarët për fëmijë? Pse nuk hyjnë? Sepse shohin që shkrimtarët për fëmijë janë të pavlerësuar. Ç’bën Ministria e Arsimit? Pse nuk organizon, pse nuk bën një takim me shkrimtarët për fëmijë? Pse kur bëhen këto juritë e këto komisionet, pse nuk thirret një shkrimtar për fëmijë? Pse nuk thirret? Unë nuk marr pjesë në konkurse. Pse nuk jam thirrur kurrë të marr pjesë në një juri? Pse nuk thirret Xhahit Bushati, pse nuk thirret Pandeli Koçi? Pse nuk thirren? Hajde në juri, sepse ti e shikon me syrin e shkrimtarit për fëmijë. Më kupton?  E kanë mbytur tregun përkthimet. E kanë mbytur kritikën këta kritizerët nga letërsia për të rritur. I vetmi që po jep një kontribut të jashtëzakonshëm për të evidentuar këtë letërsi, është Xhahit Bushati. Ai është një punëtor i paepur si në letërsi ashtu edhe në kritikë. Më duket se boton te “Shqiptarja.com”?....

Po. Ai ka botuar disa artikuj në Suplementin Rilindasi të “Shqiptarja.com”, ku ka evidentuar disa autorë të letërsisë për fëmijë, madje edhe të ilustruar me kopertina librash....

            -I vetmi, siç thotë populli “për t’i hequr kapelën”. Ai po punon për dy libra, paralel, për autorët për fëmijë, për letërsinë për fëmijë, shënime kritike d.m.th. për vlerat e për të tëra. I vetmi. Kurse të tjerë nuk ka që të merren me këtë. Duhet të merren institucionet, duhet të fillojë nga Ministria e Arsimit.

Unë kam vënë re me të vërtetë se shumë prej emigranëtve kërkojnë libra shqip për fëmijët e tyre. Çfarë duhet bërë që në duart e tyre të bien libra me vlerë?

            -Duhet të ngrihet një komision me ekspertë të letërsisë për fëmijë, të cilët të evidentojnë, të nxjerrin, të bëjnë këto. Kjo prapë varet nga institucionet. Në mënyrë personale nuk e bën dot asnjeri. S’mund të marr tani unë përsipër e të them “hajdeni juve emigrantët që vini nga jashtë, t’ju rekomandoj këta libra”. Jo. Kjo dhe do të ishte shumë mirë se atje ka fëmijë shqiptarë që duhet të rriten edhe me folklorin shqip. Ne kemi përralla të shkëlqyera. Pse s’bëhet një punë e tillë?

Po për sa u përket ilustrimeve të librave për fëmijë, si veprohej? Kujtoj se në librat më të hershëm ishte specifike që të ketë art, ose të kishte penele piktorësh të shquar për ilustrimet...

            -Atëherë ishte Safo Marko, që ishte e shkëlqyer. Ajo më ka ilustruar “Goni trazovaçin” mua. Dhe një Gon që akoma më vjen të qesh me atë kaçurrelin këtu kështu, ose Doni Gjinali që më ka ilustruar shumë nga librat e mi, që ishin vërtet piktore të mira. Dhe të dyja autodidakte. Por nuk ka piktorë. Kjo Ledia Ikonomi që po ilustron, është Jozita Shkreli. Edhe ajo është ilustruese e mirë. Edhe ajo më ka ilustruar libra mua. Por nuk shoh. I marrin me kompjuter, i bëjnë. P.sh. librin “101 gjëegjëzat” timin e ka bërë njëri me kompjuter. “Unë e di, gjeje ti” me kompjuter është bërë. Më tha ai botuesi. Unë nuk e kam parë librin se tani ka dalë. Unë kam ardhur këto ditë. Me kompjuter e ka bërë prapë!

Mungon një dedikim i përgjithshëm për t’ua çuar fëmijëve në variantin e duhur?

            -Po. Prandaj ua marrin mendjen librat e përkthyer lexuesve, se shikon ilustrimin ai. Dhe e shikon fëmija atë dhe do atë se i pëlqen ilustrimi. Se ka ç’ka brenda... Është reklama e vitrinave të botimeve. Kështu është edhe kopertina.

Atëherë le të kthehemi në kohën që ju shkruanit. Cilat ishin kriteret e bërjes së letërsisë për fëmijë? Si funksiononte sistemi i vlerave?

            -I ndaj në tri kategori shkrimtarët, qofshin edhe për të rritur, qofshin edhe për fëmijë: ata që janë të vdekur edhe kur janë të gjallë, d.m.th. nuk japin, nuk janë shkrimtarë; ata që librat e tyre vdesin sapo vdesin ata; dhe shkrimtarët që vdesin, por u mbeten librat. Ata janë shkrimtarët e vërtetë. P.sh., po të përmend nga letërsia botërore, sa kohë që ka vdekur Anderseni? Me shekuj. Sa kohë Vëllezërit Grim? Unë të them Tolstoin që ka perla për fëmijë. Unë kam përkthyer një libër nga Tolstoi, “Shqiponja”. Për fat të keq unë ika nga shtëpia botuese në atë kohë. Nuk ia vunë emrin që isha përkthyese. Më vjen keq. Por ka perla për fëmijë. “Liza në botën e çudirave” ka ngelur. Kjo është pasuri, d.m.th. shkrimtari u jep pasuri brezave që vijnë. Edhe lexuesin edhe libraritë i kanë mbytur përkthimet. Botuesit e kanë shumë kollaj. Merr një libër, nuk e di me licencë apo pa licencë një shtëpi botuese, pa e blerë, i botojnë me 1.000 lekë dhe ai lexuesi i cili, babai ose nëna, prindërit, të cilët nuk e kanë ndoshta edhe atë kulturën që të dinë të zgjedhin, shkojnë e marrin atë që kushton 1.000 lekë. Po çfarë i jep? Njëherë, përkthimet janë jashtëzakonisht të dobëta. Ata tërhiqen sepse librat që vijnë të përkthyera janë me gjithë ilustrimet. Ilustrimet janë të bukura. Dhe kjo është. Letërsia e mirëfilltë shqiptare, shqip, ka ngelur pas dore. Edhe tjetra është që shumë pak i bëhet propagandë ose ka kritizerë nga letërsia e rritur, të cilët e mohojnë letërsinë për fëmijë. Kur ti nuk je ekspert i fushës. Aq më tepër kjo bëhet edhe nëpër komisione që i krijon Ministria e Kulturës, në juritë që krijohen edhe në panaire, në këto. Ku e ke një shkrimtar për fëmijë brenda në juri? Nuk e ke, që të jetë. P.sh. ne kemi një kritik të shkëlqyer, që është edhe një shkrimtar shumë i mirë, poet shumë i mirë, Xhahit Bushati. Dhe për fat të mirë është brez më i ri se unë. I vetmi që po e lançon letërsinë për fëmijë. Po pse nuk e fut në një juri? Pse nuk fut Pandeli Koçin në një juri, që është edhe kritik, edhe shkruan. Por ti më fut njerëz fare të panjohur ose vajta i thashë këtij ministrit. I thashë: “Zoti ministër, pse e keni hequr çmimin në letërsinë për fëmijë?”. Vinin te letërsia për fëmijë një çmim. Proza, përralla, poezia, të gjitha një çmim. Të tjerat ishin të ndara në zhanre. Dhe i thashë: “Pse?”. “Se nuk kemi para”. Shkrimtarët janë të varfër, nuk presin paratë. Ne nuk fitojmë gjë nga kjo. Por kanë satisfaksionin, të paktën, se mora një çmim. Ndajeni atë çmim. Më ka bërë përshtypje, isha në Itali. Kur erdha, duke qeshur, më morën në telefon kolegët dhe më thanë: “Adelina, e di kush e ka marrë çmimin si poeti më i mirë këtë vit?”. Nga Ministria e Kulturës, po them, ka ndodhur këtë vit. “Gaqo Bushaka”. Thashë: “Si?”, - edhe qesha. Gaqo Bushaka, nuk mohoj vlerat, më kuptoni, nuk kam asgjë me të, e çmoj si shkrimtar, ka zënë edhe ai vendin e vet, por vetëm poet nuk është.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Era Rustemi: 24/04/2020 12:07

    Po me ato as Jane me estistenc si do u behet. Edhe me felni nese shktajra ndonje flja gabinm she jam nga Spanja.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë