Analisti berishian Armand Shkullaku është parë bashkë me botuesin e tij Aleksandër Frangaj ndërsa bën pushimet në jug të Shqipërisë me disa nga njerëzit më pranë kryeministrit Edi Rama. I fotografuar veshur me bermuda në Dhërmi pranë Arben Ahmetajt, Damian Gjiknuri dhe Adrian Çelës, çifti Shkullaku-Frangaj konfirmohet edhe një herë shumë dinak në marrëdhëniet e tij. Pasi flirtoi për vite me radhë me Fatos Nanon dhe Partinë Socialiste kur ata ishin në pushtet, çifti Frangaj-Shkullaku për tetë vjet u bë instrumenti më servil i propagandës në dispozicion të Sali Berishës dhe qeverisë së tij. Një marrëdhënie dashurore kjo, që hyri në krizë në qershor 2013, kur Berisha humbi në zgjedhjet politike. Të paaftë që të mbeteshin në opozitë (dhe të shtyrë nga nevojat për të ruajtur pasuritë e mëdha të grumbullara në vitet e arta të berishizmit), Frangaj dhe Shkullaku ndanë detyrat: Frangaj mori përsipër t’u vijë rrotull Ramës dhe njerëzve të tij që t’i faleshin tetë vjet shpifje, ndërkohë që Shkullaku (i cili adhuron të shtiret si gazetar i lirë dhe i pavarur) ka marrë përsipër t’i godasë. Për të bërë këtë, shpikën portalin Lapsi, mbi të cilin Frangaj përbetohet se nuk ka asnjë influencë “pasi Shkullaku është i marrë”. I njejti argument që përdor edhe kur Blendi Fevziu bën sikur sulmon Ramën në emision dhe Sandri betohet se atë emision nuk e kontrollon ai.
Këta dy dinakë (madje tre) luajnë kështu, duke ndjekur traditën më të keqe të gazetarisë politike, kartat e tyre në shumë tryeza: natën me Berishën, pasdite me Bashën dhe, kur është fjala për të shkuar në plazh, shkojnë me Ramën. Ose me njerëzit e tij. E rëndësishme është të mbajnë veshur katër këpucë në dy këmbë, pasi është e qartë se këta gazetarë-botues me të vërtetë "të pavarur" nuk harrojnë të bëjnë dashuriçka sa herë që mundin edhe me Ilir Metën. Me përjashtim të rasteve kur bëjnë sikur e sulmojnë. Objektivi natyrisht është i njejti: të vazhdojnë të pasurohen me qeverinë e radhës, por të jenë gati ta bëjnë këtë edhe në rast se qeveria ndryshon.
Rroftë gazetaria e vërtetë!
(Shkullaku, Frangaj, Ahmetaj, Gjiknuri e Çela pushime sëbashku)
Redaksia Online
Shqiptarja.com