Dymbëdhjetë persona humbën jetën pasi një autobuz me pelegrinë polakë u përmbys në autostradën M3 në Hungari, gjatë kthimit nga një pelegrinazh në Međugorje, në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Sipas policisë hungareze, aksidenti ndodhi rreth orës 01:00 pranë qytetit Mezokeresztes, kur autobusi doli nga rruga, përfundoi në një kanal dhe u përmbys. Raportet e para tregojnë se shoferin mund ta ketë zënë gjumi. Ai i mbijetoi aksidentit dhe u ndalua nga autoritetet.

Në autobus udhëtonin 57 pasagjerë dhe dy shoferë. Ministria e Jashtme e Polonisë tha se pothuajse të gjithë të mbijetuarit u dërguan në spitalet e Egerit, Debrecenit dhe Miskolcit. Dhjetë persona janë në gjendje të rëndë, ndërsa shërbimi hungarez i ambulancës njoftoi se 37 të tjerë kanë marrë lëndime të lehta.
Pas aksidentit, presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave. Edhe kryeministri i Hungarisë, Peter Magyar, falënderoi ekipet e emergjencës që morën pjesë në operacionin e shpëtimit.
Ndërkohë, ministri polak i Infrastrukturës, Dariusz Klimczak, tha se do të forcohen kontrollet ndaj autobusëve dhe respektimit të orëve të punës së shoferëve. Pronari i kompanisë së transportit deklaroi se autobusi drejtohej nga dy shoferë me përvojë.










Komente
Komento