Sulmet e protestuesve në kryeqytet kanë dhënë efektet e para për qytetarët. Shërbimi i transportit publik në Tiranë e Kamëz është pezulluar deri në një moment të dytë që do të sjellë normalizimin e situatës. Protestuesit nuk kanë kursyer aktet vandale, duke thyer xhamat e disa prej urbanëve të kryeqytetit dhe Kamzës, të cilët janë detyruar të pezullojnë aktivitetin.

Ndërkohë bankat, të cilat kanë qenë objekt dhune nga persona të maskuar, kanë njoftuar se degët që operojnë rreth qendrës së kryeqytetit, por edhe në zona të tjera, janë mbyllur. Klientët janë njoftuar për mbylljen përmes rrjeteve sociale.

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka dënuar sulmet ndaj institucioneve financiare, duke kërkuar nga autoritetet marrjen e masave për garantimin e sigurisë së punonjësve dhe klientëve, si dhe vijimësinë normale të shërbimeve bankare.

"Shoqata Shqiptare e Bankave dënon sulmet ndaj institucioneve financiare gjatë protestës së 14 tetorit në Tiranë dhe u bën thirrje autoriteteve të marrin masa për të garantuar sigurinë dhe vijimësinë e shërbimeve bankare. 

Shoqata u bën thirrje protestuesve të shmangin veprimet e dhunshme, ndërsa kërkon nga institucionet përgjegjëse të marrin masat e nevojshme për parandalimin e incidenteve të tilla.

"AAB u bën thirrje pjesëmarrësve në protesta të shmangin çdo veprim të dhunshëm. Institucionet përgjegjëse të marrin masat e nevojshme për parandalimin e incidenteve të tilla dhe garantimin e sigurisë publike. Mbrojtja e punonjësve dhe klientëve, respektimi i pronës private dhe garantimi i vijimësisë së shërbimeve bankare janë thelbësore në çdo rrethanë", thuhet në deklaratë.

AAB i siguron qytetarët marrëdhënia e tyre me bankat mbetet e pacenuar dhe e sigurt, pavarësisht ngjarjeve të ndodhura. Në deklaratë theksohet gjithashtu se mbrojtja e punonjësve dhe klientëve, respektimi i pronës private dhe garantimi i shërbimeve bankare janë thelbësore në çdo rrethanë, thuhet në deklaratën për shtyp. 

Edhe bizneset janë dëmtuar rëndë gjatë këtyre tri ditëve pasi protestuesit i kanë shënjestruar vazhdimisht duke i shkatërruar, djegur dhe vjedhur. Qendra të mëdha tregtare me qindra biznese brenda kanë mbyllur dyert. Një destinacion i rëndësishëm turistik si Kalaja e Tiranës ishte gjithashtu e kyçur këtë të enjte.

Ndërkohë, Dhoma e Tregtisë bëri thirrje për distancim të qartë nga dhuna dhe masa të qarta nga policia.

"Kërkojmë masa konkrete parandaluese, prani të përshtatshme në zonat e rrezikuara dhe ndërhyrje në kohë ndaj çdo akti dhune apo shkatërrimi. Autorët e dhunës duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi individuale sipas ligjit, pa ia ngarkuar fajin kolektivisht çdo qytetari që ushtron paqësisht të drejtën e protestës. Kërkojmë gjithashtu dokumentimin e plotë të dëmeve dhe komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve dhe sipërmarrjeve të prekura, për të mundësuar denoncimin, hetimin dhe ndjekjen e procedurave përkatëse", thuhet në deklaratë.

Situata ka detyruar Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë që së bashku me shoqatat kryesore të bizneseve të thërrasin një konferencë për mediat. Dëmi ekonomik sipas tyre është shumë i madh, dhe se shkatërrimi i pronës private nga protestuesit është një akt i paprecedent. Ata i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa urgjente, që të mos detyrohen të shkojnë në kushtet e vetëmbrojtjes.

“Protesta është ndoshta i vetmi zë qytetar, por a është ky mjeti për ta arritur këtë qëllim, kjo mbetet për t’u parë. Shkatërrimi i pronave private, precedent penal”, u shpreh  Nikolin Jaka.

Shoqatat e bizneseve e cilësojnë një akt të paprecedentë dhunën ndaj pronës private, ndërsa kërkojnë dokumentin e plotë të dëmeve si dhe hetimin e vënien para përgjegjësisë të autorëve.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:06
Sulmet ndaj institucioneve financiare, Shoqata e Bankave: Depozitat janë të sigurta, shërbimet do të varen nga siguria

Shoqata Shqiptare e Bankave ka reaguar sërish pas sulmeve të sotme ndaj bankave duke theksuar se sistemi bankar është një e mirë e përbashkët që u shërben qytetarëve.

Duke kërkuar dhënien fund të sulmeve ndaj degëve të bankave dhe institucioneve të tjera financiare, Shoqata sqaron se dëmet janë materiale dhe nuk cenojnë depozitat e klientëve apo funksionimin e sektorit bankar.

Sipas njoftimit, për shkak të situatës së sigurisë, një pjesë e mirë e bankave kanë kufizuar përkohësisht oraret ose numrin e degëve në shërbim, ndaj klientët këshillohen të kontrollojnë njoftimet e bankave dhe të përdorin shërbimet digjitale kur është e mundur.

"Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar gjatë protestave të ditëve të fundit, informon publikun se disa degë bankare dhe ATM janë prekur nga veprime që kanë shkaktuar dëme materiale. Për shkak të zhvillimeve në terren dhe me prioritet sigurinë e klientëve dhe të punonjësve, një pjesë e mirë e bankave kanë operuar përkohësisht me numër të reduktuar degësh dhe/ose me orar të kufizuar.

Në raste të caktuara nuk ka qenë e mundur që klientëve t'u ofrohej shërbimi me kapacitetin dhe standardin e zakonshëm. AAB dhe bankat anëtare kërkojnë mirëkuptimin e klientëve për çdo vështirësi apo vonesë të shkaktuar nga kjo situatë e jashtëzakonshme. Bankat do të vijojnë aktivitetin sipas kushteve dhe orareve të përcaktuara nga secila prej tyre, në varësi të situatës dhe vlerësimeve të sigurisë. Ftojmë klientët që, përpara se të paraqiten në degë, të konsultojnë njoftimet zyrtare në faqet e internetit dhe kanalet e tjera të komunikimit të bankës së tyre. Në të njëjtën kohë, klientët inkurajohen që, kur është e mundur, të përdorin kanalet bankare digjitale për kryerjen e pagesave, transfertave dhe transaksioneve të tjera të disponueshme në distancë.

AAB thekson se dëmet e evidentuara janë materiale dhe veprimet ndaj ambienteve fizike apo pajisjeve nuk cenojnë, në vetvete, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sektorit bankar. Bankat vijojnë të zbatojnë masat dhe procedurat për ruajtjen e sigurisë, vazhdimësinë e aktivitetit dhe mbrojtjen e interesave të klientëve. Sistemi bankar është një infrastrukturë thelbësore për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare dhe një kontribues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet kreditimit të familjeve dhe sipërmarrjeve, lehtësimit të pagesave dhe transaksioneve, punësimit dhe kontributit në të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Prandaj të gjithë bashkë të ruajmë sistemin bankar dhe atë financiar si e mirë e përbashkët, të mos sulmohen degët e bankave dhe objektet e tjera financiare.
Bankat mbeten të angazhuara për vijimësinë e shërbimit normal sa më shpejt që kushtet e sigurisë ta lejojnë, duke vlerësuar me prioritet mbrojtjen e klientëve, punonjësve dhe infrastrukturës bankare" thuhet në njoftim. 

Ora 17:23
Bizneset e dëmtuara nga protesta, Ibrahimaj inspekton dëmet tek Zogu i Zi: Nuk janë studentë ata që duan të shkatërrojnë qytetin! Thirrje për dokumentimin e dëmeve (VIDEO)

 

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka shkuar te Zogu i Zi në Tiranë për të parë nga afër dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve gjatë protestës. Ajo ka kundërshtuar pretendimet se pas akteve të dhunës qëndrojnë studentët dhe u ka bërë thirrje bizneseve të dokumentojnë dëmet e pësuara.  Ajo tha se pas shkatërrimeve qëndrojnë të njëjtët aktorë që, sipas saj, kanë dëmtuar vendin edhe më parë, këtë herë me ndihmë të huaj.

“Kam ardhur tek Zogu i Zi për të dokumentuar dhe për të parë nga afër dëmin që i është bërë bizneseve nga protestat. Nuk janë studentë ata që duan të shkatërrojnë qytetin. Nuk janë studentë ata që duan që mundi dhe djersa e prindërve të shokëve dhe shoqeve të tyre të dëmtohet dhe shkatërrohet. Është e njëjta dorë që ka dashur që Shqipërinë ta lejë mbrapa. Është e njëjta dorë që ka shkatërruar shumë herë vendin, por kësaj rradhë, ndryshe nga herët e tjera me ndihm,a të huaja që nuk duan që Shqipëria të përparojë e të futet në BE. Unë u bëj thirrje të gjitha bizneseve që të dokumentojnë dëmet e bëra që Ministria e Ekonomisë dhe organet e drejtësisë të bënë detyrën e tyre dhe të adresojnë dëmet e bëra nga një dorë e pabesë që do të shohë Shqipërinë të shkatërruar” tha Ibrahimaj

 

Ora 14:42
Me letra mbi qepenët e mbyllur, bizneset u përgjigjen sulmeve të protestuesve: Jemi me ju, mos na dëmtoni

1792068203_bizneset.jpg

Në përgjigje të sulmeve ndaj tyre, bizneset po përpiqen të shmangin disi dhunën e protestuesve. Mbi qepenat e mbyllur apo në fasadat e xhamit, kanë ngjitur letra ku shkruhet “Ne jemi me ju, mos na dëmtoni.”

Ora 12:54
Protestat e dhunshme, pezullohet transporti publik në Tiranë e Kamëz

1792061706_protestatkunderqeverise.jpg

Protestat e dhunshme në Tiranë kanë sjellë pezullim të transportit publik në Tiranë e Kamëz për shkak të sulmeve ndaj urbanëve, tashmë të thyer që s’mund të qarkullojnë.

Shkak është bërë edhe bllokimi i disa akseve rrugore. Pezullimi do të vijojë deri në momentin kur s’do të paraqitet më rrezik për transportin urban.

Ora 12:08
Sulmet ndaj bankave dhe bizneseve gjatë protestës në Tiranë, Dhoma e Tregtisë: Dhuna është e papranueshme! Autorët e dhunës të mbajnë përgjegjësi

Sulmet ndaj bankave, qendrave tregtare, institucioneve dhe objekteve të biznesit gjatë protestave në Tiranë kanë sjellë reagimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, e cila kërkon dokumentimin e plotë të dëmeve dhe marrjen e masave për mbrojtjen e pronës publike dhe private.

Në një deklaratë të përbashkët me disa shoqata biznesi, Dhoma e Tregtisë dënon aktet e dhunës dhe vandalizmit, duke theksuar se asnjë kauzë apo përplasje politike nuk mund të justifikojë shkatërrimin e pronës dhe cenimin e sigurisë së qytetarëve.

Sulmet ndaj bankave, qendrave tregtare dhe institucioneve gjatë protestës së dhunshme të 14 tetorit në Tiranë kanë sjellë reagimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe disa shoqatave të biznesit, të cilat dënojnë shkatërrimin e pronës publike dhe private. Në një deklaratë të përbashkët, ato kërkojnë nga autoritetet dokumentimin e plotë të dëmeve, identifikimin e autorëve të dhunës dhe marrjen e masave për mbrojtjen e bizneseve. Dhoma e Tregtisë u bën thirrje edhe organizatorëve të protestave dhe forcave politike të distancohen nga aktet e dhunës, duke theksuar se e drejta për të protestuar duhet respektuar, por asnjë kauzë apo pakënaqësi politike nuk justifikon vandalizmin. Sipas saj, pas çdo biznesi të dëmtuar qëndrojnë investime, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej tij.

Deklarata mbështetet nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Manifaktura Shqiptare, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare, Shoqata e Bimëve Medicinale dhe Shoqata e Grave Profesioniste Afariste e Zejtare.

Deklarata e plotë 

"Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në bashkëpunim me shoqatat e biznesit si: Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar/KASH, Manifaktura Shqiptare, Albania, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit/IPQ, Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare, Shoqata e Bimëve Medicinale dhe Shoqata e Grave Profesioniste Afariste e Zejtare, shpreh shqetësimin e thellë për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave në kryeqytet, përfshirë sulmet ndaj institucioneve publike, bankave, qendrave tregtare, ndërtesave dhe objekteve të përfaqësimit të biznesit.

Në cilësinë e Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, theksoj se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë themelore e çdo qytetari dhe një vlerë e patjetërsueshme e shoqërisë demokratike. Kjo e drejtë duhet respektuar, garantuar dhe mbrojtur nga institucionet shtetërore. Qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë t’i dëgjojnë dhe t’u përgjigjen përmes dialogut dhe veprimeve konkrete.

Por asnjë kauzë, pakënaqësi apo përplasje politike nuk justifikon dhunën, zjarrvënien, vandalizmin dhe cenimin e sigurisë së qytetarëve. Shkatërrimi i pronës publike dhe private është i papranueshëm dhe duhet të ndalet.
Bizneset, punonjësit dhe pronat e tyre nuk mund të bëhen shënjestër e tensioneve politike. Pas çdo sipërmarrjeje qëndrojnë investime, vite pune, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej saj. Dëmtimi i një banke, dyqani, qendre tregtare apo godine biznesi prek punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit. Po kështu, dëmtimi i institucioneve dhe i pronës publike rëndon mbi të gjithë taksapaguesit.

I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të përmbushin me vendosmëri detyrimin për ruajtjen e rendit, mbrojtjen e jetës dhe garantimin e paprekshmërisë së pronës publike e private. Kërkojmë masa konkrete parandaluese, prani të përshtatshme në zonat e rrezikuara dhe ndërhyrje në kohë ndaj çdo akti dhune apo shkatërrimi.

Veprimet e policisë duhet të jenë profesionale, proporcionale dhe në përputhje me ligjin, duke garantuar sigurinë e protestuesve paqësorë, qytetarëve, punonjësve të bizneseve dhe vetë efektivëve. Autorët e dhunës duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi individuale sipas ligjit, pa ia ngarkuar fajin kolektivisht çdo qytetari që ushtron paqësisht të drejtën e protestës.

U bëjmë thirrje organizatorëve të protestave dhe forcave politike të distancohen qartë nga çdo akt dhune, të bëjnë thirrje për qetësi dhe të kontribuojnë aktivisht në ruajtjen e karakterit paqësor të tubimeve. Përgjegjësia publike kërkon gjuhë që ul tensionet dhe veprime që parandalojnë përshkallëzimin.

Kërkojmë gjithashtu dokumentimin e plotë të dëmeve dhe komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve dhe sipërmarrjeve të prekura, për të mundësuar denoncimin, hetimin dhe ndjekjen e procedurave përkatëse. 
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet për evidentimin e shqetësimeve të biznesit dhe forcimin e masave mbrojtëse.

Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pavarur nga çdo përkatësi politike: mbështesim lirinë e shprehjes, protestën paqësore, dialogun dhe zbatimin e ligjit. Kundërshtojmë pa asnjë rezervë dhunën dhe shkatërrimin, pavarësisht se nga kush kryhen.

Tirana duhet të jetë një qytet ku qytetarët protestojnë të lirë, institucionet përmbushin detyrën dhe sipërmarrjet ushtrojnë aktivitetin e tyre të sigurta" 

Ora 11:15
Protestat e dhunshme, bizneset e ‘Rrugës së Durrësit’ me qepenët ulur sot

1792055752_protestatkunderqeverise.jpg

Në “Rrugën e Durrësit” sot nuk ka asnjë biznes të hapur. Është një prej arterieve kryesore të Tiranës ku ka biznese të shumta, por sot të gjithë kanë ulur qepenët pas protestës së dhunshme te Ministria e Arsimit që vijon ende.

Kujtojmë që ditën e djeshme u sulmua edhe një bankë e nivelit të dytë në këtë zonë, u dëmtuan disa biznese në hyrje të saj dhe u dogj edhe filiali i Iute Credit.