Shoqata e Gjuhësisë-mediave:Kujdes
me të shkruarin,shumë fjalë të huaja

Shoqata e Gjuhësisë-mediave:Kujdes<br />me të shkruarin,shumë fjalë të huaja
Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare pasi zhvilloi “Javën e Albanologjisë”, gjatë muajit maj në Prishtinë, u bën thirrje të gjitha organeve të shtypit që të jenë më të kujdesshëm me të shkruarin e gjuhës shqipe.
 
Një nga shqetësimet më të mëdha mbetet përdorimi i fjalëve të huaja në shkrimet e publikuara në media ndaj bëhet thirrje që të mënjanohen kur janë të panevojshme.
  
Shoqata ka propozuar disa mënyra se si mund të zgjidhet ky problem duke listuar ndër to:
 
1) Në çdo organ shtypi ose radio a televizion të ketë një person të cilësuar për kulturën gjuhësore, i cili të shërbejë edhe si ndërlidhës me institucionet dhe organizmat shkencorë të gjuhësisë shqiptare
 
2) Të krijohet shoqata e redaktorëve letrarë / lektorëve të shtypit
 
3) Degët e gazetarisë në universitet të përmirësojnë programet mësimore të lëndëve të gjuhës shqipe.
 
4) Në “Ligjin për shtypin” në Shqipëri dhe në Kosovë të shtohet një nen ku të formulohet në mënyrë të përshtatshme kërkesa për përgjegjësinë morale e ligjore që duhet mbajnë organet përkatëse të shtypit në rast të shkeljeve të rregullave e normave gjuhësore
 
5) Katedrat universitare të gjuhës shqipe ta përfshijnë më gjerë në veprimtarinë e tyre studimin e problematikës së gjuhës së shtypit
 
Thirrja që bën Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare
“Të nderuar gazetarë dhe punonjës të shtypit e të fushës së kulturës!
 
Gjatë veprimtarisë “ Java e Albanologjisë”, që u organizua edhe sivjet nga Instituti Albanologjik në Prishtinë gjatë muajit maj, duke diskutuar për gjuhën e shtypit, gjendjen dhe nevojën e ngutshme të përmirësimit të saj, u miratua një Thirrje publike, të cilën jua dërgojmë bashkëlidhur.
Ju ftojmë të shprehni mendimet tuaja rreth kësaj teme, të bashkëpunoni  për të vënë në jetë kërkesat e Thirrjes dhe të jepni ndihmesën tuaj duke shkruar në shtyp dhe duke dërguar vërejtje, sugjerime e propozime në adresën e Shoqatës.
SHOQATA E GJUHËSISË SHQIPTARE
 
 
THIRRJE
GJITHË ORGANEVE TË SHTYPIT, RADIOVE DHE TELEVIZIONEVE NË GJUHËN SHQIPE
 
Pjesëmarrësit e konferencës shkencore me temë “Gjuha e shtypit”, të zhvilluar në Institutin Albanologjik të Prishtinës më 10 maj 2017 në hapjen e veprimtarisë së përvitshme “Java e Albanologjisë”, pasi dëgjuan kumtesat e programit dhe diskutimet rreth tyre, ku u vunë në dukje mjaft të meta dhe u shprehën shqetësime për gjuhën e shtypit, miratuan njëzëri thirrjen e mëposhtme.
 
Duke njohur dhe vlerësuar rëndësinë që ka gjuha e shtypit për zhvillimin e mëtejshëm të shqipes standarde, për pasurimin e saj me fjalë e shprehje të reja, për mënjanimin e fjalëve të huaja të panevojshme dhe për ngritjen e kulturës gjuhësore të shoqërisë, e quajmë të nevojshme t’ju bëjmë thirrje për të treguar kujdesin më të madh për kulturën gjuhësore në shtypin e shkruar e të folur dhe për të bërë një kthesë të ndjeshme drejt përmirësimit të gjendjes së sotme. Kultura gjuhësore e shtypit dhe kujdesi për mbarëvajtjen e gjuhës shqipe në tërësi janë pa dyshim tipar themelor i qytetërimit tonë dhe shenjë domethënëse nderimi ndaj kësaj vlere të lartë kulturore të trashëguar e të ruajtur gjatë shekujve.
 
Prandaj e quajmë të nevojshme që për këtë qëllim:
 
1) Në çdo organ shtypi ose radio a televizion të ketë një person të cilësuar për kulturën gjuhësore, i cili të shërbejë edhe si ndërlidhës me institucionet dhe organizmat shkencorë të gjuhësisë shqiptare. Ai do të ketë detyrë: a) të përcjellë tek adresa elektronike e Qendrës së Studimeve Albanologjike (Tiranë), e Institutit Albanologjik të Prishtinës, e Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare (Tiranë) ose e Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës (Prishtinë) pyetjet e kolegëve për çështje të paqarta a të dyshimta, b) të pranojë vërejtjet e këshillimet e gjuhëtarëve dhe të veprojë për zbatimin e tyre në praktikë.
 
2) Të krijohet shoqata e redaktorëve letrarë / lektorëve të shtypit, e cila të organizojë me forma të përshtatshme kualifikimin e mëtejshëm e të vijueshëm profesional të tyre në bashkëpunim me organizmat shkencorë-mësimorë në fushën e gjuhësisë.
 
3) Degët e gazetarisë në universitet t’i japin rëndësi më të madhe formimit të thelluar gjuhësor të gazetarëve të ardhshëm dhe për këtë qëllim të përmirësojnë programet mësimore të lëndëve të gjuhës shqipe.
 
4) Në “Ligjin për shtypin” në Shqipëri dhe në Kosovë të shtohet një nen ku të formulohet në mënyrë të përshtatshme kërkesa për përgjegjësinë morale e ligjore që duhet mbajnë organet përkatëse të shtypit në rast të shkeljeve të rregullave e normave gjuhësore, pa i mohuar askujt të drejtën që të përdorë edhe forma të tjera të gjuhës së shkruar, të ndryshme nga gjuha standarde.
 
5) Katedrat universitare të gjuhës shqipe ta përfshijnë më gjerë në veprimtarinë e tyre studimin e problematikës së gjuhës së shtypit, duke dhënë tema studimore nga kjo fushë e duke i bërë ato të njohura për praktikën.
 
Prishtinë, maj 2017

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel