Një shoqëri që promovon bullizmin politik, bullizmin institucional, bullizmin familjar dhe shoqëror, papritur pretendon që të ketë adoleshentë “të butë”. Dhe kush e kërkon? E kërkojnë ata që përnatë nëpër foltore politike dhe studio televizive në vend që të shtjellojnë qartë, qetë, e me logjikë përballjen mes mendimeve të ndryshme, e ngrysin dhe e gdhijnë se si të prodhojnë epitetin më të poshtër për kundërshtarin. Mendojnë, ëndërrojnë dhe prodhojnë fjalën më të rëndë e më ofenduese dhe pasi e thonë atë, i picërrojnë dhe iu shkëlqejnë sytë nga kënaqësia teksa e shohin të prodhuar e të riprodhuar në qindra portale shqipëfolëse, tik tok, X, apo kudo që të mundet e të gjendet mënyrë shpërndarje.
Në krah të ketyre elitave, kryesojnë moderatorë emisionesh të cilët gëzojnë më shumë se kushdo tjetër sepse dikush në studio prodhoi një epitet, një ofendim, një togfjalësh të poshtër që po atë natë apo në ditët në vijim do të shpërndahet akoma më shumë e do të marrë klikime aq të shumta sa meritojnë të ftojnë e të riftojnë të njëjtët njerëz bullizues, ofendues, sharës.
Pastaj të tjerë moderatorë të cilët për të treguar se ndiqen nga masa, nga populli i social mediave, kur nuk kanë mesazhe ofenduese e bullizuese shkojnë e blejnë ndjekës në Indi, Bangladesh e Pakistan duke bullizuar në këtë mënyrë inteligjencën njerëzore për vlerat dhe peshën reale të tyre në shoqëri.
Kemi zgjedhur një shoqëri ku e thjeshta, e natyrshmja, logjika, po shndërrohet në qesharake dhe bullizimi, artificjalja, kitsch-i, promovimi i vlerave false, ngrihen në piedestal pa pyetur dhe pa u shqetësuar për pasojat.
Kemi zgjedhur një shoqëri ku bëjmë sikur të gjithë lexojmë dhe prodhojmë libra një herë në vit në një panair libri dhe nuk kuptojmë se ai bombardim pakditor është shndërruar jo më pak se bigbrotheri që disa e kritikojnë.
Sa lexon një shoqëri dhe sa intelektualë të vërtetë ka podhuar ajo e tregon pikërisht e përditshmja. E tregojnë ngjarjet që na trondisin e që nuk ua lenë radhën njëra-tjetrës të marrin frymë e të shtjellohen në ndërgjegjen e secilit prej nesh. Sot po qajmë vrasjen e një 14 vjeçari, me thikë, në zemër të kryeqytetit, pa menduar aspak thikat që elita jonë e dhunshme ngul përditë e përnatë. Dija, leximi, kultura, arsimimi, edukata, edukimi, janë “armët” të afta të ulin poshtë çdo armë. Po kush ka ngeluar t’ua thotë këtë fëmijëve tanë?
Po,sa poshtë kemi rënë..,shumë të vërteta të hidhura !!!..si i bëhet..., duhet që të vendosim buajt para karros...!..ka vdekur Bashkësia e Njerëzve mençur e urtë...( E psikopatia histerike e mediokre Avare ed e pangopur është ulur në Parlament!
Përgjigju