Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka sqaruar sot se kompania që ka marrë në pronësi rafinerinë e Bllashit nuk furnizohet prej tyre.
 
Ky shpjegim vjen pas deklaratës së kompanisë e cila theksonte se një nga shkaqet e defektit që solli shpërthimin ishte mungesa e energjisë elektrike.
 
OSHEE nënvizon se kompania nuk furnizohet prej tyre, pasi është klient i kualifikuar, 110 kv dhe si i tillë del dhe e blen energjinë në treg te hapur. 
   
“Në lidhje me deklaratën e kompanisë që ka marrë në pronësi rafinerinë e Ballshit, IONIAN REFINING AND TRADING COMPANY – IRTC” sh.a, sipas të cilës, defekti është shkaktuar, ndër të tjera, edhe nga mungesa e energjisë elektrike, OSHEE sqaron se:
Kompania nuk furnizohet nga OSHEE, pasi është klient i kualifikuar, 110 kv dhe si i tillë del dhe e blen energjinë në treg të hapur. 

I gjithë rrjeti dhe asetet elektrike janë në pronësi të rafinerisë, përfshi dhe n/stacionin e Ballshit, ku OSHEE nuk mban asnjë përgjegjësi për avaritë apo dëmtimin e tyre.

Sqarojmë gjithashtu faktin se, OST i ka tërhequr vëmendje shoqërisë së rafinerisë për kushtet kritike që ka instalacioni i mbrojtjes RL në nstacionin e Ballshit, në pronësi të IONIAN. 

Shtojmë një tjetër fakt se energjia elektrike është ndërprerë në orën 16:38 dhe është rikthyer në 16:43, kurse incidenti në rafineri ka ndodhur rreth orës 22:45, pra ka diferencë kohe.

Kjo do të thotë se mungesa e dritave është tërësisht problem i rrjetit të brendshëm të vetë kompanisë IONIAN, ku OSHEE nuk ka aspak lidhje”,
sqaron OSHEE.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com