Alesia Balliu është demokratja që ka shpallur kandidaturën për kryetare të Partisë Demokratike në zgjedhjet që zhvillohen së afërmi në këtë parti. Ajo thotë se hyn në këtë garë jo me synime për të zëvendësuar Berishën në krye të partisë, por për t’i dhënë mesazh të gjithë demokratëve, kryesisht të rinjve, që PD ka nevojë për garë dhe që kjo parti ka nevojë emergjente të demokratizohet.

“PD është në një krizë dhe Sali Berisha është fajtori kryesor që ka promovuar humbjen si fitore. Kjo është e frikshme. Duke parë situatën aktuale unë në këtë garë nuk hyj për t’i zënë vend Sali Berishës, unë hyj për t’i dhënë një mesazh rinisë që PD ka individë që duan që kjo parti të riformatohet, që duan që kjo parti të hapet, që duan demokratizimin e kësaj partie”, tha Balliu.

Alesia Balliu flet për angazhimin e saj në PD qysh në moshë fare të re, zhgënjimet nga lidershipi i partisë, dhe veçanërisht për mbështetjen që ajo dhe familja e saj i dhanë foltores së Berishës, si dhe zhgënjimin e madh që erdhi kur Berisha e mori sërish drejtimin e partisë. Ajo është e bindur se Berisha ka bunkerizuar partinë për ta përdorur për interesat e tij të pushtetit dhe interesat ekonomike të familjes së tij.

“Unë kërkoj demokratizimin e çdo strukture në PD, e cila është kthyer në bunker falë kryetarit të saj që as nuk mundi dot as rezultatin e Lul Bashës në 2021. Dhe përballë kësaj situate unë kam një detyrim moral dhe publik, shoqëror të jap kontributin e tim të vogël, përpos se shanset për ta pranuar kanditaturën time janë zero pasi ajo është një bunker, një pronë private e familjes së Berishës”, shtoi Balliu.

Balliu thotë se Berisha është, pa asnjë diskutim, elementi më i cënueshëm i Edi Ramës, përmes të cilit ky i fundit garanton vazhdimësinë e pushtetit. Ajo flet për marrëveshje dhe pasurim të pandalur të familjes së Berishës, por edhe për “40 rrogëtarët” e Berishës, deputetët e kësaj partie që i binden qorrazi kryetarit, edhe pse ai nuk premton dhe as nuk ka në aspiratë kthimin e PD-së në pushtet./TemA