320 organizata jo qeveritare kanë dënuar veprimin e Serbisë, për 14 personat mes tyre dy shqiptarë, që shpalli non-grata.
Deklarata e përbashkët e qindra organizatave të shoqërisë civile nga 27 vende evropiane, zbulon se janë alarmuar nga ky vendim.
“Jemi të alarmuar nga ndalimi dhe dëbimi i padrejtë i qytetarëve dhe aktivistëve qytetarë nga Austria, Kroacia, Sllovenia, Rumania, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët po merrnin pjesë në Akademinë e OJQ-ve Erste Stiftung në Beograd. Këta persona u arrestuan gjatë natës, u morën në pyetje pa prova, u etiketuan si “kërcënime të sigurisë kombëtare” dhe iu ndalua hyrja në Serbi për një vit.
Kjo pason një model ngacmimi, me dy dëbime të ngjashme të shtetasve kroatë në javët e fundit dhe një numër veprimesh represive kundër protestuesve paqësorë serbë. Që nga kjo verë, represioni kundër organizatave të shoqërisë civile serbe, aktivistëve bazë, studentëve të shkollave të mesme dhe universiteteve është intensifikuar përmes përdorimit të përgjimit të dokumentuar nga Amnesty International, paraburgimeve dhe dhunës së pandëshkuar nga grupet parashtetërore.
Këtë herë, regjimi u fokusua në një grup ndërkombëtar aktivistësh qytetarë të sponsorizuar nga një fondacion me reputacion me bazë në Austri që promovon bashkëpunimin dhe mësimin rajonal.
Këto veprime, duke synuar profesionistë të respektuar dhe nisma të bashkëpunimit ndërkombëtar, sinjalizojnë armiqësinë në rritje të qeverisë serbe ndaj aktivistëve qytetarë dhe gazetarëve. Kjo shtypje ndodh në mes të protestave masive të studentëve kundër korrupsionit dhe keqmenaxhimit, të cilin regjimi duket i etur për t’i shtypur duke bërë kok turku shtetas të huaj dhe duke nxitur armiqësi ndaj vendeve fqinje dhe BE-së.
Ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të shpjegojnë këto veprime të padrejta dhe të sigurojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare duhet ta mbajnë Serbinë përgjegjëse dhe të kërkojnë respektimin e vlerave demokratike, veçanërisht si një vend kandidat për në BE.
Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjitha viktimat e këtij regjimi dhe bëjmë thirrje për një përgjigje të bashkuar në mbarë Evropën për të mbrojtur hapësirën qytetare, paqen dhe të drejtat e njeriut në Serbi”, thuhet në reagim.
Me argumentin se ata përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare”, Serbia i ka ndaluar hyrjen për një vit në territorin e saj 14 përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Austria, Kroacia, Sllovenia, Republika Ceke, Rumania, Moldova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.