Virusi A(H3N2), i njohur si një nga variantet që çdo vit shkakton ngarkesë më të madhe në sistemin spitalor, nuk është një virus i ri. Por, këtë vit, gjatë rrugës ky virus ka pësuar një ndryshim gjenetik duke shfaqur nëntipin K, i cili ndryshe nga llojet e tjera të viruseve, ky mutacion nuk bën pjesë në mbrojtjen nga vaksina aktuale kundër gripit.

Britania e Madhe është një nga vendet që ky virus është përhapur masivisht. Eksperti i Shëndetit Publik Leidon Shapo përmes një lidhje të drejtëpërdrejtë në ‘Sot Live në Shqipëri’ tha se në Britani si pasojë e tij vetëm javën që lamë pas u shënuan 1700 shtrime spitalore.

“Është një virus i njohur, por e veçanta e tij është se H3N2 nuk vjen vërdallë çdo vit. Gjatë periudhës së verës ka pësuar mutacion gjenetik. Në Britani virusi vjen pas dëmeve që ka shkaktuar në Australi duke shkaktuar shtrime në spital dhe vdekje. Gjatë javës që lamë pas u shënuan 1700 shtrime, ku pjesa më e madhe i përkasin moshave 65 vjeç e lartë” tha Shapo.

Ndër të tjera ai theksoi se ky virus vjen së bashku me Covid dhe viruse të tjera.

“Ai vjen me Covid dhe viruse të tjera. Simptomat e tij janë lodhje dhe këputje e menjëhershme. Ne duhet të shikojmë ashpërsinë e virusit. Bërja e vaksinës krijon mbrojtje 70-75%, te fëmijët 2-17 vjeç, ndërsa te personat 65 vjeç e lartë mbrojtja është deri 45%. Personat më të rrezikuar janë fëmijët pasi nuk janë përballur me një virus të tillë më para dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese", shtoi ai.

Shapo gjithashtu nënvizoi se edhe higjena është shumë e rëndësishme, teksa theksoi edhe njëherë që ata që kanë simptoma duhet të konsultohen menjëherë me mjekun.

“Pritet një dimër i vështirë për Britaninë e Madhe, sepse me këtë virus fëmijët dhe personat vunerabël nuk janë përballur. Përdorimi i maskës dhe vaksina është shumë e rëndësishme. Më duket e pamundur që virusi të mos përhapet edhe në vendet e tjera.

Këshilla ime është që të kemi kujdes me higjenën. Nëse keni shenja gripale apo edhe ftohje komunikoni me mjekët. Qëndroni në shtëpi të paktën 5 deri në 7 ditë. Bëni vaksinën sepse mbron nga sëmundja e rëndë dhe humbja e jetës. Të gjithë ata që kanë merak për vaksinën, është e sigurt për t’u bërë”, përfundoi ai.