Një rrjedhje gazi shkaktoi një shpërthim masiv në një ndërtesë në qytetin iranian Bandar Abbas, në Ngushticën e Hormuzit. Katër persona ndërruan jetë, të gjithë nga e njëjta familje.
Sipas televizionit shtetëror, shpërthimi shkatërroi dy kate të ndërtesës dhe dëmtoi disa automjete dhe dyqane aty pranë. Ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje. Një hetim ka filluar, tha për IRNA Mehrdad Hassanzadeh, drejtor i përgjithshëm i menaxhimit të krizave për provincën Hormozgan.
Agjencia e lajmeve Tasnim, mohoi lajmet që qarkullonin në disa kanale Telegram në lidhje me vrasjen e Gjeneral Alireza Tangsiri, komandant i Marinës së IRGC-së. Lajmi, thuhet në të, "është plotësisht i rremë dhe është prodhuar dhe publikuar në përputhje me operacionet psikologjike të lëvizjes anti-iraniane".
Shpërthime të mëtejshme u raportuan sot edhe në qytetet Khorramshahr dhe Abadan, në provincën jugperëndimore të Khuzestan, rreth 50 kilometra nga Gjiri Persik. IRNA raportoi se incidentet ishin të lidhura me eksplozivë të mbetur nga lufta Iran-Irak e viteve 1980, pranë kufirit me Irakun.
Me tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara që po përshkallëzohen ditët e fundit, ka pasur raportime për shpërthime dhe aktivizimin e sistemit mbrojtës në Teheran, si dhe shpërthime të forta në pjesën lindore të kryeqytetit, ku ndodhen disa centrale bërthamore, ditët e fundit. Shpërthime u dëgjuan edhe në qytete të tjera, duke përfshirë Dezful dhe Isfahan, për të cilat qeveria nuk ka lëshuar asnjë deklaratë./La Repubblica
Komente








