Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nisi të hënën gjykimi për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varagë - pjesa veriore e Kosovës - ku të akuzuarit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviç u deklaruan të pafajshëm.

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj vëllezërve Viqentijeviç dhe Dimoviqit për veprat penale: “kërcënim i rendit kushtetues me anë të shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike” dhe “kryerje e aktit terrorist”.

Dy të akuzuarit, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviç, gjenden në paraburgim që nga arrestimi, menjëherë pas shpërthimit më 29 nëntor të vitit 2024, ndërsa Dimoviç mbrohet nga liria.

Përndryshe, seanca paraprake u shty për herë të parë më 24 dhjetor të vitit të kaluar, pasi avokatët mbrojtës të të pandehurve kërkuan përjashtimin e prokurorit Bekim Kodraliu, duke pretenduar se ai ishte i anshëm. Gjykata e refuzoi kërkesën dhe Kodraliu mbeti prokuror.

Pas seancës së sotme dëgjimore, avokati mbrojtës, Millosh Delleviç, tha se mbrojtja do të paraqesë ankesë kundër aktakuzës dhe provave brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.

“Ne presim një gjykim të drejtë, që propozimet e mbrojtjes për paraqitjen e provave të miratohen. Kemi disa dëshmitarë që konfirmojnë alibinë [e të pandehurve] dhe disa prova materiale që do t'i paraqesim, me qëllim përcaktimin e së vërtetës në këtë rast“, u tha ai gazetarëve.

Jovan dhe Dragisha Viqentijeviç dyshohen se më 29 nëntor, 2024, rreth orës 18:50, së bashku me disa persona të tjerë - ende të panjohur - vendosën rreth 20 kilogramë eksploziv për përdorim ushtarak (TNT) brenda kanalit Ibër Lepenc, “në një çantë të lidhur me litar në një shtyllë betoni”, duke e pozicionuar “për të shkaktuar dëme serioze në infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë dhe energji elektrike”. Dëmi material u vlerësua në rreth 400.000 euro.

Sipas aktakuzës, gjatë bastisjeve në shtëpitë e tyre - një në Zubin Potok dhe një në fshatin Prevllak të së njëjtës komunë - Policia e Kosovës gjeti dhe sekuestroi një sasi të konsiderueshme të armëve të luftës.

Në aktakuzë thuhet gjithashtu se Jovan Viqentijeviç, si anëtar rekrut i Shërbimit Ushtarak të Informacionit të Serbisë, “veproi dhe ndihmoi këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente konfidenciale për t’i përdorur në aktivitetet e tij të paligjshme në territorin e Kosovës” dhe “për t’i dorëzuar ato të dhëna në takimet në Serbi”.

Në shtëpinë e të akuzuarit të tretë, Igor Dimoviq, policia gjeti tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa uniforma ushtarake, të cilat u sekuestruan.

Prokuroria paraqiti si provë edhe raportin e ekspertizës gjeologjike të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) mbi mostrat e dheut në çizme, të marra në shtëpinë e vëllezërve Viqentijeviq.

Çfarë është Ibër–Lepenci?

Ndërmarrja kosovare Ibër–Lepenc, me seli në Prishtinë, furnizon me ujë të papërpunuar impiante industriale dhe shërben për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore.

Kjo ndërmarrje furnizon me ujë edhe disa qytete në Kosovë nga liqeni i Ujmanit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve të saj.

Sipas faqes zyrtare të kësaj ndërmarrjeje, kompania është themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës më 28 shkurt 1967.

Ndërtimi i këtij hidrosistemi është zhvilluar në dy faza: faza e Ibrit, e cila përfundoi në vitin 1986, dhe faza e Lepencit, e cila nuk u realizua kurrë.

Sot, kjo ndërmarrje është shoqëri aksionare, 100 për qind në pronësi të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më herët se të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre të akuzuarit për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc, kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore serbe.

Beogradi zyrtar ka mohuar çdo lidhje me këtë shpërthim.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë më herët se ka disa informacione se kush mund të jetë autori, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Ai ka shprehur gatishmërinë e Beogradit për të bashkëpunuar në kryerjen e hetimit me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare.

Pas shpërthimit, kryeprokurori publik në Beograd, Nenad Stefanoviq, ka thënë se pret një “hetim gjithëpërfshirës për të përcaktuar të vërtetën dhe të gjitha faktet relevante”.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse autoritetet gjyqësore serbe kanë filluar ndonjë hetim./REL