TIRANË - Ish-ambasadori Agim Nesho foli sot në ‘Frontline Interview’ lidhur me shpërthimin e 29 nëntorit në Zubin Potok ku u sulmua infrastruktura kritike e Kosovës.
Për Marsela Karapançon ai e cilësoi ngjarjen një akt terrorist të organizuar nga forcat paramilitare dhe të lidhur ngushtë me Serbinë. Nesho theksoi se ky ishte një veprim i qëllimshëm për të mbajtur tensionet në veri të Kosovës, një pjesë e projektit të Vuçiçit për të krijuar një "konflikt të ngrirë" dhe për të rikthyer interesat e botës serbe në Ballkan.
'Akt terrorist! Drita dhe uji janë elementë të rëndësishëm. Duket qartë një sulm i parapërgatitur nga forcat paramilitare dhe çdo gjë duket e lidhur me Serbinë. Edhe diplomacia botërore, ministri i jashtëm gjerman thanë kini kujdes se rajoni i Ballkanit do ketë provokime të tilla. Për ta bërë diçka prezente. Vuçiçi e ka projektuar veriun e Kosovës si një konflikt i ngrirë. Është përpjekje për të pasur diçka për të rikthyer interesa të botës serbe për ta mbajtur për kohë të gjatë.'
Nesho vuri në dukje se Vuçiç, duke ndjekur një linjë nacionaliste, ka një strategji të qartë për të shtrirë dominimin serb, duke e shfrytëzuar çështjen e Kosovës si një mjet për të justifikuar politikat e tij dhe të Rusisë.
'Deri tani nuk kemi parë veprim të komunitetit ndërkombëtar, si me Banjskën. U filmuan, kurse përgjigja e Europës ishte e vakët. Vuçiç është nga ata nacionalistët që e shpreh hapur se Kosova na përket ne. Strategjia e tyre realizimit i hapësirave serbe dhe rikthimi i lavdisë së perandorisë ruse. Ajo që bashkon një politike ruse me Serbinë për të justifikuar procesin e saj. Putin e ka thënë se çështja e Kosovës është përfituar me të padrejtë nga perëndimi, bombardim ndaj një shteti sovran, kur ne nuk mund të mbronim Serbinë. Ata duan të justifikojnë Krimenë dhe pushtimin e tokave në Ukrainë.'
Ai përmendi se ky konflikt mund të ketë pasoja për të ardhmen e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke theksuar se bota është aktualisht përfshirë në çështje të tjera, si Ukraina dhe Lindja e Mesme, dhe se vëmendja ndaj Ballkanit mund të rritet vetëm nëse Serbia dhe Rusia intensifikojnë provokimet.
'Nëse Vuçiç arrin një marrëveshje dhe shtrin dominimin serb në Ballkanin Perëndimor këto marrëveshje në vitin 2000 janë të pavlefshme dhe mund të rishikohen në ish Bashkimin Sovjetik.'
'Vuçiç do ta mbajë të ndezur konflikti në veri sepse i interesin në plan të gjatë për të rimarrë diçka, Serbinë e madhe. Janë gjithnjë me ëndrrën e Serbisë së madhe, janë të njëjtët nacionalistë me vello të re. Nuk janë të qartë, mbeten satelitë me pikëpamje nacionaliste dhe revizioniste.'
Nesho bëri thirrje për kujdes dhe vigjilencë nga autoritetet kosovare në këtë periudhë të tensioneve të vazhdueshme.
'Nuk do ketë vëmendje të shtuar, ka probleme me Ukrainën, lindjen e mesme, armatim i tejskajshëm i Koresë së Veriut. Përdorimi i saj nga Rusia, bota po zien dhe në këtë kuptim, vëmendja ndaj konfliktit në Ballkan do rikthehet nëse Serbia dhe Rusia do provokojnë diçka të tillë. Duhet të ketë kujdes nga ana e qeverisë së Kosovës.'